Korrik

1 Korrik

Ligji do të shkojë tej Cionit dhe fjala e Zotit do të dalë nga Jeruzalemi.

Mihaja 4:2

Profeti Mihaja flet për atë që do të ndodhë në ‘Ditët e Fundit.’ Perëndia do të bëjë që tempulli i tij i madh të ngrihet në Malin Cion, ku dikur qëndronte tempulli i Sholomit. Jehezkeli ka regjistruar modelin e tij në kapitujt e fundit të profecisë së tij. Të gjithë popujt e çdo kombi do ta vizitojnë çdo vit tempullin. Atje, do të mëzojnë ligjin e Perëndisë nga Jezu Krishti, i cili do të mbretërojë si mbret dhe si kryeprift. Nuk do të ketë luftë … por thjesht paqe për njëmijë vjet.

2 Korrik

Mbretëria e tij do të shtrihet nga deti në det, nga lumi në skajin e tokës. Të gjithë mbretërit do të përkulen para tij; të gjithë popujt do t’i shërbejnë atij.

Psalmet 72:8-11

Jezu Krishti është shpresa e vetme e botës për paqe jetëgjatë. Asnjë sundimtar tjetër nuk mund të mbretërojë mbi të gjithë popujt në mënyrë të paanshme dhe me drejtësi, duke siguruar njëherësh paqen e përsosur. Të gjitha kombet do të kenë një gjuhë, ndërsa lufta do të zhduket për ngaherë. Burimet e tokës do t’i përkushtohen përparimit dhe lumturisë të popujve të saj. Ligji i Krishtit do të jepet mësim nga pasuesit e tij të ringjallur të pavdekshëm.

3 Korrik

Perëndia i lavdishëm iu shfaq të parit tonë Avrahamit, kur ky banonte në Mesopotami dhe ende nuk ishte shpërngulur në Haran, e i tha, largohu nga vendi yt dhe nga farefisi yt e shko në vendi që do të të caktoj unë.

Veprat 7:2-3 Zanafilla 12:1

Avrahami jetonte përpara se të shkruhej Bibla. Njerëzit jetonin më gjatë dhe përcillnin fjalën e Perëndisë nga një brez tek tjetri. Kur ishte shtatëdhjetepesë vjeç, Avrahami jetonte në Ur të Haldesë, një qytet në Lumin Eufrat dhe atje iu bë vizita nga engjëlli. Atij iu dha udhëzimi që ta linte qytetërimin e njohur në të cilin jetonte dhe të udhëtonte në një vend të largët të panjohur zgjedhur prej Perëndisë. Kështu filloi puna e pajtimit të njeriut me qëllimin e Perëndisë për Tokën. Avrahami iu bind kërkesës hyjnore dhe u bë ati i besnikëve.

4 Korrik

Zoti i tha Avrahamit, … “Unë do të të jap shumë pasardhës dhe do të bëhen komb i madh,…dhe ti do të bëhesh shembull i bekimit tim në tokë.” Zanafilla 12:1-2

Premtimet që iu bënë Avrahamit ishin një pjesë jetësore e punës së pajtimit të njeriut, i cili e kishte ofenduar Perëndinë në Eden. Besimi i drejpërdrejtë i Avrahamit tek fjala e Perëndisë dhe bindja e tij ndaj saj e bëri një mjet të përshtatshëm për qëllimin e Zotit. Fakti që e dinte që emri i tij do të bëhej i madh dhe të gjithë që do t’i vinin veshin do të bekoheshin, nuk e bëri mendjemadh. Ai tregoi përulje dhe mençuri të madhe gjatë gjithë jetës së tij, ndërsa udhëtonte nëpër tokën e premtuar dhe u vendos në të.

5 Korrik

Shkrimet e shenjta parathonin se Perëndia do t’i shpallte të pafajshëm popujt përmes besimit të predikuar Avrahamit përpara ungjillit, me fjalët, ‘Përmes teje do t’i bekoj të gjithë kombet e botës.’ Galatasve 3:8

“Besimi,” na tregon Pali, “është esenca e gjërave të dëshiruara, fakti i gjërave të papara.” Ai vjen duke dëgjuar, ose lexuar dhe menduar mbi fjalën e Perëndisë në Bibël. Avrahami i besoi Perëndisë dhe një gjë e tillë atij iu quajt e drejtë.

Perëndia e dinte që Avrahami do kishte dy lloj fëmijësh: pasardhësit fizikë, çifutët e të tjerët; dhe familjen e tij shpirtërore që do të lidhej me të përmes besimit tek Jezu Krishti.

Pa pasur besimin është e pamundur të kënaqet Perëndia.

6 Korrik

Zoti i tha Avrahamit;…të gjithë tokën që sheh do të ta jap ty, dhe pasardhësve të tu përgjithmonë. Shko, bjeri tokës kryq e tërthor; sepse ty do të ta jap.

Zanafilla 13:14-17

Perëndia i premtoi Avrahamit dhe pasardhësve të tij që do t’u jepte zotërimin e përhershëm të tokës së Kënanit; një pjesë e së cilës sot njihet si Izraeli. Avrahamit iu tha të shihte nga maja e një mali të lartë dhe u informua që toka që mund t’i kapte syri në çdo drejtim do të ishte e tij. Në atë kohë Avrahami nuk kishte fëmijë, por ai i besoi Perëndisë kur Ai i premtoi më tej që pasardhësit e tij do të ishin aq të panumërt sa rëra në tokë.

7 Korrik

Po atë ditë, Zoti bëri një besëlidhje me Avrahamin, duke i thënë, Pasardhësve të tu ia kam dhënë këtë tokë, nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh … Eufrat.

Zanafilla 15:18

Avrahamit iu tregua moria e yjeve të qiellit dhe iu tha që pasardhësit e tij do të ishin aq të panumërt sa yjet. Perëndia i konfirmoi premtimet e tij duke bërë një besëlidhje me Avrahamin. Sakrificat ishin përgatitur saktësisht sipas udhëzimeve të Perëndisë dhe ishin dhënë në tokë. Kur ishte errësirë një ‘furrë me tym dhe një llampë drite’ kaloi midis sakrificave. Shumë vite më vonë, Jezu Krishti, duke ofruar vullnetarisht trupin e tij, solli në jetë Besëlidhjen e Re.

8 Korrik

Tani Perëndia ia dha premtimin Avrahamit dhe pasardhësit të tij. Ai nuk tha ‘pasardhësve,’ si të ishin shumë, por për një, Pasardhësit tënd, domethënë Krishtit.

Galatasve 3:16

Jezu Krishti, biri i Perëndisë, jo vetëm trashëgon Mbretërinë e Izraelit sepse është i të njëjtës pemë me Davidin dhe është biri i tij i madh, por ngaqë është ‘fara’ e Avrahamit. Avrahami e besonte Perëndinë aq sa t’i bindej edhe komandës për të sakrifikuar birin e tij Jichakun në Malin Moriah. Ai u pengua ta kryente aktin; por kishte vullnetin ta bënte, duke ditur që Perëndia ishte i aftë ta sillte përsëri në jetë Jichakun, në mënyrë që të përmbusheshin premtimet.

9 Korrik

Zoti iu shfaq Jichakut dhe i tha, … Ty dhe pasardhësve të tu do t’u jap të gjitha këto vende…Përmes teje do të bekohen të gjithë popujt e tokës.

Zanafilla 26:2-4

Premtimi i zotërimit dhe bekimit nuk iu dha vetëm Avrahamit. Iu përsërit birit të tij Jichakut në rrethana të ngjashme. Jichakut gjithashtu iu bë thirrje të provonte besimin e tij para Perëndisë. Në një kohë urie, Egjipti ishte një vend i natyrshëm për të kërkuar mbijetesën për shkak të sistemit të vaditjes nga Nili, por Jichaku i besoi Perëndisë dhe qëndroi për ca kohë në tokën e Kënanit, të cilën në fund do ta trashëgonte.

10 Korrik

Tokën ku ti (Jakov) je shtrirë, do të ta jap ty dhe pasardhësve të tu.

Zanafilla 28:13-14

Premtimet që iu bënë Avrahamit dhe Jichakut, iu përsëritën edhe Jakovit, emri i të cilit u ndryshua në Izrael. “Jakov” do të thotë ‘zëvendësues’ në hebraisht. “Izrael” do të thotë “princ apo sundimtar me Perëndinë.” Ai tregoi besimin e tij tek Perëndia gjatë gjithë jetës. Esavi e përçmonte të drejtën e tij të paslindjes, ndërsa Jakovi e vlerësonte shumë. Besimi i tij tek premtimet i dhanë mundësi, me ndihmën e nënës së tij, që të merrte bekimin e Jichakut. Ai shkoi në shtëpinë e Lavanit, me besim, për të gjetur një grua me të njëjtin besim dhe u kthye, me besim, për të shpronësuar Esavin, vëllanë e tij.

11 Korrik

Të gjithë këta vdiqën duke besuar, pa marrë ato që iu premtuan, por duke i parë ato së largu, duke u detyruar prej tyre, i përqafuan dhe treguan që ishin të huaj dhe të përkohshëm në tokë.

Hebrenjve 11:13-15, 39-40

Toka e Kënanit iu premtua Avrahamit, Jichakut dhe Jakovit, por ata në fakt nuk zotëruan ndonjë pjesë, përveç një vendi për të varrosur të vdekurit. Ata ishin të gjithë të huaj dhe udhëtarë në tokën e premtimit gjatë jetëve të tyre. Secili që vdiste, varrosej në Hebron, pa marrë tokën që Perëndia u kishte premtuar; megjithatë ne e dimë që Perëndia nuk mund të gënjejë dhe nuk e shkel fjalën e Tij. Jezusi ua kujtoi këtë fakt saducenjve për të provuar se duhet të ketë ringjallje, në mënyrë që etërit të mund të marrin trashëgiminë e tyre.

12 Korrik

Dhe Ai (Perëndia) nuk i dha atij (Avrahamit) ndonjë copë tokë trashëgimi, asnjë pëllëmbë tokë; megjithatë Ai premtoi që do t’ia jepte për ta zotëruar.

Veprat 7:5

E vetmja copë tokë për të cilën të tri patriarkët ishin pronarë, ishte shpella dhe fusha e Mahpelahut, të cilën Avrahami e bleu për 40 copa argjend nga Efron hititi. Sara u varros atje dhe ishte një akt besimi që secili nga etërit këmbënguli që të ndanin të njëjtin vend varrimi, ku do të prisnin përmbushjen e premtimeve që u ishin bërë.

13 Korrik

Ti do t’i përmbushësh të vërtetën Jakovit dhe mëshirën Avrahamit, siç u ke premtuar të parëve tanë duke u përbetuar dikur. Mihaja 7:20

Perëndia sigurisht që do ta përmbushë premtimin e Tij ndaj Avrahamit, Jichakut dhe Jakovit duke u dhënë atyre tokën e Kënanit, ku ata banonin si të huaj gjatë ditëve të tyre të vdekshme. Ai do të ngrejë patriarkët nga të vdekurit dhe do t’u japë atyre zotërimin e tokës kur të jetë vendosur mbretëria e Perëndisë atje, nën mbretërimin e Jezu Krishtit.

Profeti Mihaja nuk kishte dyshim që patriarkët do të ngriheshin nga dheu për të marrë trashëgiminë e tyre.

14 Korrik

Pas prekjes së të vdekurve, këta do të ngrihen: a nuk ke lexuar në librin e Mosheut, se si Perëndia i foli atij, duke i thënë, Unë jam Perëndia i Avrahamit, Perëndia i Jichakut dhe Perëndia i Jakovit. Marku 12:26

Bibla nuk e mbështet traditën pagane sipas së cilës njerëzit “e mirë” ngjiten në një jetë lumturie shpirtërore në qiell, kur vdesin. Ajo mëson qartë që të vdekurit përgjegjës ngrihen nga gjumi i tyre në varr në mëngjesin e shkëlqyer të ringjalljes, pasi të kthehet Zoti ynë. Marku regjistron besimin e Jezu Krishtit për këtë. Ringjallja dhe gjykimi do të ishin objekt talljeje nëse të drejtët do të qenë tashmë në qiell dhe të padrejtët në ferr.

15 Korrik

Do të shihni Avrahamin, Jichakun dhe Jakovin e të gjithë profetët, në mbretërinë e Perëndisë. Luka 13: 28

Jezusin e pyetën “A do të jenë të paktë ata që do të pranohen?” Ai rrallë dha përgjigje të drejtpërdrejtë; por nënkuptonte që rrugën drejt shpërtimit nuk do ta gjenin shumë njerëz dhe që shumë njerëzve do t’u refuzohej hyrja. Do të ketë disa që do të pretendojnë që i kanë shërbyer Krishtit, por që nuk do të pranohen fare, kur të jetë kthyer padroni! “Përpiquni të hyni në derën e drejtë” paralajmëroi ai … me fjalë të tjera, vetëm ata që ia kushtojnë vërtet jetën e tyre shërbimit të Perëndisë do të pranohen. Rruga e gjerë tërheq shumë njerëz, por ata do të shohin patriarkët, profetët dhe njerëzit e zakonshëm që mirëpriten nga Jezusi, ndërsa ata vetë … të lënë jashtë.

16 Korrik

Shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe do të ulen me Avrahamin, Jichakun dhe Jakovin, në mbretërinë e qiellit. Mateu 8:11

Ka disa që imagjinojnë disa shpirtra të shkëputur nga trupi që rrinë pezull në qiell, por nga fjalët e Zotit tonë e dimë që jeta do të jetë e ngjashme me atë që kemi përjetuar në këtë ekzistencë. Do të jetë të ulurit, të ngrënit dhe të pirit. Jezusi flet për sundim, mësim, jetëgjatësi, gëzim, shëndet, paqe, dashuri, shoqëri, bindje dhe drejtësi… për udhëtim, gjykim dhe ndërtim. Sigurisht që nuk do të ketë pranim pa një dashuri dhe respekt të madh për Perëndinë. Pranimi nuk është i kufizuar për ndonjë racë apo ngjyrë … vetëm për besnikët dhe të bindurit.

17 Korrik

Zoti Jezu Krisht, … do të gjykojë të gjallët e të vdekurit kur të shfaqet dhe në mbretërinë e tij. 1 Timoteut 4:1

Avrahami, Jichaku dhe Jakovi do të ngrihen nga të vdekurit prej Jezu Krishtit dhe do të gëzojnë zotërimin e përhershëm të tokës së Kënanit, premtuar atyre nga Perëndia. Jezusi ua mësoi këtë dishepujve kur ata e pyetën “kur do të ndodhin këto gjëra?”; që njëri duhej marrë dhe një tjetër lënë, nga çdo dy njerëz që punonin diku … dhe se do të ishte si në ditët e Noes, ku secili shihte punën e tij dhe jetën shtëpiake derisa papritur Perëndia t’ia tregojë fuqinë e Tij një bote të çuditur.

18 Korrik

Ai duhet të mbretërojë, derisa t’i ketë nënshtruar të gjithë armiqtë e tij.

1 Korintasve 15:25

Krishti nuk do të pranohet dhe njihet nga kishat dhe qeveritë e ngritura të botës. Çifutët nuk e pranuan në ardhjen e tij të parë sepse ‘traditat’ e tyre kishin qenë midis fjalëve të Perëndisë dhe shërbimeve të njeriut. Ata jepnin mësim doktrinën e njeriut si urdhërime. Shumë kristianë sa për emër i janë dorëzuar të njëjtit gabim … fjala e Perëndisë nuk është ndikuar aspak prej besimeve të tyre pagane. Ata nuk do ta pranojnë Jezusin … as pasuesit e feve të tjera të botës.

19 Korrik

Ata (besnikët dhe të shenjtët e pavdekshëm) u kthyen në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për njëmijë vjet. Apokalipsi 20:4

Një prej miteve për Zotin Jezus është ‘butësia’ e tij. Ai ishte gjithnjë ‘i mirë’ me ata që përpiqeshin t’i shërbenin Perëndisë, por u përgjigjej ashpër hipokritëve, atyre që shkaktonin probleme dhe kënaqnin njeriun. Ai i dëboi me thupër ‘biznesmenët’ nga tempulli. Ai është LUANI i Fisit të Judas, dhe sipas fjalëve të Palit, do të kthehet, “me zjarr në flakë për hakmarrje ndaj atyre që nuk njohin Perëndi.” Kur ai të ketë mbretëruar për njëmijë vjet, mbretëria do t’i dorëzohet Perëndisë, pasi vdekja të jetë zhdukur plotësisht.

20 Korrik

Kur të vijë Biri i njeriut me madhështinë e tij…, atëhere do të ulet mbi fronin e tij madhështor; përpara tij do të mblidhen të gjithë popujt; dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit. Mateu 25:31-32

Nëpër të gjithë Biblën theksohet vazhdimisht se sa jetësore është që dikush ta gjejë vetë, përmes fjalës së Perëndisë, se si na kërkohet t’i shërbejmë Atij. Nuk do të sjellë asnjë dobi nëse në ditën e kthimit të Jezusit do të shfajësohemi se nuk dimë. SOT është koha të mbajmë vesh dhe të dëgjojmë fjalën e Perëndisë. Mos e ngurtësoni zemrën siç bënë izraelitët në shkretëtirë. Ajo histori u regjistrua për të ndihmuar që ne të nxjerrim këtë mësim. Sa gjë e tmerrshme, e tmerrshme të shohësh “Avrahamin, Jichakun dhe Jakovin në mbretërinë e Perëndisë dhe veten tënde të nxjerrë jashtë.”

21 Korrik

Zoti i tha Avrahamit, Dije me siguri se pasardhësit e tu do të jenë të huaj në një tokë që nuk është e tyre; do të shërbejnë; dhe kjo do të zgjasë për katërqind vjet.

Zanafilla 15:13-14

Është lehtësim i madh të kesh mundësi të lexosh një profeci në Bibël dhe të dish që është përmbushur. Familja e Jakovit e pranoi mikpritjen e egjiptianëve gjatë urisë së madhe dhe ngaqë u shtuan dhe ‘mbushën tokën,’ faraoni i persekutoi dhe i shndërroi në skllevër.

Pak profeci kanë mbetur të papërmbushura dhe këto lidhen me “ditët e mëvonshme” kur izraelitët e rimbledhur të sulmohen nga agresori verior dhe aleatët e tij. Ato na tregojnë për ndërhyrjen e Perëndisë dhe vendosjen e mbretërisë në tokë.

22 Korrik

Dhe egjiptianët i detyruan izraelitët të shërbenin me ashpërsi; ua vështirësuan jetën duke i detyruar të bënin punë të rënda. Dalja 1:13-14

Përmbushja e profecisë së Perëndisë ndaj Avrahamit është e qartë që ndodhi natyrshëm. Jozefi u shit në Egjipt për shkak të xhelozisë së vëllezërve të tij. Besimi i tij tek Perëndia nuk u lëkund pavarësisht nga mjerimi. Duke zbuluar ëndrrën e faraonit, ai shpëtoi Egjiptin, por edhe familjen e tij nga të pangrënët në urinë shtatë-vjeçare dhe u bë sundimtar i Egjiptit. Fëmijët e Izraelit, barinj e shtegtarë, mësuan shumë nga ai që në atë kohë ishte vendi më i qytetëruar i botës. Në mes të të gjithë mjerimit, Perëndia po punonte për të mirën e të gjithëve.

23 Korrik

Do të të dërgoj ty tek faraoni që ti të nxjerrësh popullin tim, fëmijët e Izraelit, nga Egjipti.

Dalja 3:10

Jeta e Mosheut shpëtoi mrekullisht kur e gjeti e bija e faraonit në djepin e tij lundrues. Ai ishte mësuar me gjithë mençurinë dhe dijet e egjiptianëve. Skllevërit hebrenj e refuzuan miqësinë e tij dhe ai mbathi në shkretëtirë. Perëndia e dërgoi përsëri në Egjipt, si përfaqësuesin e tij, për të kërkuar lirimin e popullit të Tij të zgjedhur.

Nuk kishte gjë më të pamundur sesa që një skllav i urryer të paraqitej dhe të edukohej si princ në pallatin e Egjiptit. Pushteti mbizotërues i Perëndisë e përgatiti Mosheun për rolin e tij të ardhshëm si udhëheqës të Izraelit.

24 Korrik

Kësaj here do të dërgoj të gjitha mortajat e mia mbi zemrën tënde,…që të pranosh se nuk ka asnjë në botë që mund të barazohet me MUA. Dalja 9:14

Perëndia, me dorën e Mosheut, e poshtëroi fuqinë e Egjiptit, i cili në atë kohë ishte vendi më i madh në botë. Gjërat me të cilat vendi krenohej u shndërruan në hiç. Lumi u kthye në gjak dhe qelbej erë, peshqit ngordhën dhe nuk kishte ujë. Bretkocat u shumuan, zekthat dolën prej dheut, dolën krimbat e mizat … Magjistarët e Egjiptit u hutuan dhe u shkel pastërtia personale…gjedhët, kuajt, gamilet dhe delet u vranë nga murtajat; në trupat e egjiptianëve plasën çibanët…breshëri, vetëtimat dhe zjarri i thanë prodhimet dhe karkalecat hëngrën gjithë ç’kish ngelur. Mbi tokën ranë tri ditë errësirë dhe të parëlindurit e njeriut dhe kafshëve u vranë.

25 Korrik

Gjaku në dyer do të jetë një shenjë për të shënuar shtëpitë ku banoni ju; kur ta shoh gjakun, do të kaloj pranë jush dhe do t’ju fal. Dalja 12:13

Faraoni ishte shumë lart që Perëndia të mund të tregonte fuqinë e TIJ dhe që emri i Zotit të deklarohej në mbarë tokën. Pashka tregonte kah Krishti. Ai u vra si qingji i pashkës dhe për shkak të gjakut të tij të derdhur, engjëlli i vdekjes i injoron shkeljet e atyre që kanë besim në fuqinë e tij mbuluese. Secila shtëpi mori një qingj apo foshnje në vitin e parë në ditën e dhjetë të muajit të parë. Këta u vranë në mbrëmjen e ditës së katërmbëdhjetë dhe gjaku spërkati shtyllat dhe arkitrarët e dyerve. Mishin e pjekur e hëngrën brenda në shtëpi me bukë të paardhur dhe bimë të hidhura.

26 Korrik

Izraelitët kaluan nëpër det në tokë të thatë, ndërsa ujërat qëndronin si mure në anën e majtë dhe të djathtë të tyre. Dalja 14:22

Akti i fundit i çmendurisë së faraonit të Egjiptit ishte të udhëhiqte ushtrinë e tij në ndjekje të fëmijëve të Izraelit. Nga kampi i Izraelit pranë detit, Perëndia hapi një rrugë në det duke përdorur njëerë të fortë nga lindja. Burrat, gratë e fëmijët kaluan mes mureve të ujit, të paprekur, por ushtritë egjiptiane u mbytën në mes të ujrave. Pali i tha besimtarëve korintas që “Izraelitët u pagëzuan tek Mosheu, në re dhe në det.”

27 Korrik

Nëse do të më dëgjoni dhe do t’i përmbaheni besëlidhjes sime, ju do të jeni thesar i veçantë për mua mbi të gjithë popujt; sepse e gjithë toka është e imja.

Dalja 19:5

Perëndia i udhëhoqi fëmijët e Izraelit në malin Sinai dhe i premtoi Mosheut që do të t’i bënte ata një komb të shenjtë, nëse ata do t’i përmbaheshin besëlidhjes së Tij. “Ne do të bëjmë gjithë çka thënë Zoti;” thanë fëmijët e Izraelit. Zoti Perëndi i foli popullit nga maja e Malit Sinai dhe Mosheu u ngjit për të marrë Ligjin … Mosheu e shkroi dhe ndërtoi një altar nën kodër dhe sakrifikoi për Perëndinë. Ai ia lexoi besëlidhjen popullit dhe kur ata u betuan për t’u bindur, u spërkatën me gjysmën e gjakut të flijimit; gjysma tjetër u spërkat mbi altar.

28 Korrik

Unë jam Zoti Perëndia yt, i cili të nxorri nga Egjipti, ku ti ishe skllav. Përveç meje, mos adhuro asnjë perëndi tjetër. Dalja 20:2-17

Perëndia i dha Mosheut dhjetë urdhërime, nga të cilat kjo ishte e para dhe më e rëndësishmja. Perëndia ndaloi bërjen e idhujve dhe shpërdorimin e emrit të Tij. Dita e shtatë duhej mbajtur e shenjtë dhe duheshin nderuar babai dhe nëna. Izraelitët nuk duhet të kryejnë vrasje apo tradhëti bashkëshortore dhe nuk duhet të vjedhin. Nuk duheshin bërë pohime të rreme kundër fqinjëve dhe zilia ndalohej. Ligji ishte për Izraelitët dhe mund të mbahej vetëm në tokën e tyre nën sovranitetin e tyre. Nuk kish vlerë për kristianët … ishte një mësim që të përgatiste popullin për të pritur Krishtin.

29 Korrik

Zoti i tha Mosheut, Afromu lart në mal, dhe kur të jesh këtu, unë do të të jap ty rrasat prej guri që përmbajnë ligjin dhe urdhërimet që kam shkruar Unë; që të mund t’ia mësosh popullit. Dalja 24:12

Besëlidhja që bënë fëmijët e Izraelit me Zotin Perëndinë e tyre në këtë kohë, njihej si Besëlidhja e Vjetër apo Dhiata e Vjetër, e cila, në hebraisht, është e njëjta fjalë. Mosheu ishte ndërmjetësi dhe viktimat e besëlidhjes ishin qetë që u flijuan. Pali na tregon, në Hebrenjve, kapitujt tetë dhe nëntë, se si Jezusi paraqiti Besëlidhjen apo Dhiatën e Re, duke u bërë vetë flijimi i besëlidhjes.

30 Korrik

Shikoni, pas pak ditësh, tha Zoti, do të lidh një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës. Jirmija 31:31-34

Besëlidhja në malin Sinai u pasua nga ajo që u bë me Avrahamin, e cila tani njihet si Besëlidja e re. Ajo hyri në fuqi kur Krishti, viktima e vërtetë e besëlidhjes, ishte vrarë. Besëlidhja e Mosheut ishte e kushtëzuar me nëse Fëmijët e Izraelit do të zbatonin Ligjin e Mosheut; por Besëlidhja e Re ishte besëlidhje premtimesh “Pas atyre ditëve,” tha Zoti, “Do ta vë ligjin tim në pjesët e tyre të brendshme, dhe do ta shkruaj në zemrat e tyre.” Premtimi është jeta e përjetshme në mbretërinë që Krishti do të ngrejë në tokë kur të kthehet.

31 Korrik

Për t’u treguar rrugën gjatë ditës, Zoti shkonte përpara tyre në një shtëllungë resh, kurse natën nënjë shtëllungë të zjarrtë që t’u ndriçonte rrugën…

Dalja 13:21

Fëmijët e Izraelit u udhëhoqën nga Perëndia nëpër shkretëtirë me fenomene të vazhdueshme të mrekullueshme, të cilat filluan pasi faraoni kishte vendosur t’i lironte nga Egjipti dhe përfundoi në tokën e premtuar kur Mosheu ia drejtoi udhëheqjen e Izraelit Jeshajës. Perëndia përdorte shtyllat e reve dhe të flakës për t’i udhëzuar se kur të kamponin dhe kur të udhëtonin si dhe në ç’drejtim të shkonin. Perëndia i vëzhgonte popullin e Tij të zgjedhur ditë e natë; Ai nuk i harroi e as nuk i braktisi.


previous page table of contents next page