Maj
1 Maj
Krishti u ringjall nga të vdekurit dhe u bë fruti i parë i atyre që fjetën; … por secili sipas radhës. I pari ishte Krishti; pas tij, ata që i takojnë atij.
1 Korintasve 15:20-23
Jezusi është personi i parë që është ringjallur nga të vdekurit në jetën e përjetshme. Përmes vdekjes dhe ringjalljes së tij, edhe ata që e kanë identifikuar veten me varrimin e tij përmes pagëzimit dhe e kanë ndjekur atë besnikërisht, do të ngrihen nga të vdekurit kur të vijë për së dyti. Pas gjykimit, do të bëhen të pavdekshëm. “Fruti i parë” nënkupton të korra të mëvonshme; është një premtim, një shembull i asaj që do të ndodhë kur të vijë koha.
2 Maj
Ai është kreu i trupit, i bashkësisë; … i pari i lindur nga të vdekurit.
Kolosianëve 1:18
Kur studiojmë mënyrat e Perëndisë vëzhgojmë mençurinë dhe të kuptuarit. Kjo botë e mrekullueshme u krijuar për t’i dhënë Atij kënaqësi. Ata që në fund e trashëgojnë dhe e banojnë atë, do të kenë treguar, përmes ekzistencës së tyre të vdekshme, që janë në gjendje të dallojnë mes të mirës dhe të keqes që e kanë dashur njërin dhe e kanë urryer tjetrin. Gjatë të gjithë brezave të njerëzimit, ata që e kanë ndjekur Krishtin do të përfshihen nga biri i Perëndisë në një grup të veçantë njerëzish, dhe ai do të jetë kreu i tyre. Ata do të jenë bashkësia e vërtetë dhe do të adhurojnë Perëndinë të gjithë sëbashku në këtë tokë të lavdishme, në përjetësi.
3 Maj
Ai u shfaq i gjallë dhe i bindi ata me prova të paprekshme që ishte gjallë, dhe ata e panë shumë herë për dyzet ditë. Veprat 1:3
Për një periudhë prej afro gjashtë javësh, Jezusin e panë gjallë pas ringjalljes së tij. Pesëqind vëllezër e panë në një rast, siç u tha më pas Pali Korintasve. Apostujt e panë atë shumë herë dhe u udhëzuan prej tij në lidhje me mbretërinë që Perëndia do të ngrinte në tokë. Ata nuk e kishin më të vështirë të kuptonin. Fuqia e Shpirtit të Shenjtë i hapi mendjet e tyre përballë fjalëve të Zotit në përgatitje për largimin e tij; pas të cilës ata do të ishin dëshmitarët e tij, deri në anët më të largëta të tokës.
4 Maj
Shkoni … dhe u mësoni të gjithë popujve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë; mësojini të zbatojnë çdo gjë që ju kam urdhëruar.
Mateu 28:19-20
Jezusi caktoi Apostujt të shkonin nëpër botë dhe të predikonin ungjillin tek çdo krijesë, për të pagëzuar ata që besojnë; dhe t’u mësojnë atyre të zbatojnë urdhërimet e tij. Ai u përcolli atyre, siç na kanë përcjellë ata neve, këtë përgjegjësi. Ai nuk zgjodhi të famshmit, të pasurit, të fortët, fisnikët e as të përbotshmit. Ai zgjodhi një mostër të njerëzimit, me temperamente dhe profesione të ndryshme, të cilët ishin të gjithë të lidhur sëbashku nga dashuria për Jezusin, dhe provoi shërbimin e tyre me fuqinë shëruese të Shpirtit të Shenjtë.
5 Maj
Dilni në gjithë botën dhe predikojuni lajmin e mirë të gjithë njerëzve. Kush do t’i besojë atij dhe do të pagëzohet, do të shpëtojë. Marku 16:15-16
Ungjilli është ‘lajmi i mirë’ i mbretërisë së Perëndia do të ngrejë në tokë. Fillimisht, vendet në mbretëri u ofroheshin vetëm izraelitëve, por tani, përmes Jezusit, është hapur udha për cilindo popull. Parabola e Krishtit në “Kremtimin e Dasmës” demonstroi me pamje fjalësh që, meqenëse çifutët, të cilëve u ishte dhënë përparësi, refuzuan të merrnin pjesë, do të ftoheshin njerëzit joçifutë ‘Të rrugëve.’ Nga të gjithë miqtë e ftuar pritej që t’i njihnin urdhërimet e Krishtit. Padija e çfarëdo ligji nuk pranohet si shfajësim. ‘Ai që nuk beson,’ tha Jezusi, ‘Do jetë i mallkuar.’
6 Maj
Ndërsa po vështronin, u ngrit në sytë e tyre; e mori një re dhe ata nuk e panë më.
Veprat 1:9
Luka rrëfen se si Jezusi, në ditën e dyzetë pas ringjalljes së tij, i udhëhoqi apostujt larg Jeruzalemit drejt Malit të Ullinjve. Tek udhëtonin, Jezusi i udhëzoi të predikonin pendimin dhe pakësimin e mëkateve në emër të tij mes të gjithë popujve, duke filluar në Jeruzalem. Ai u tha dishepujve që ata ishin dëshmitarë të shërbimit të tij dhe ai u premtoi dhuratën e Shpirtit të Shenjtë. Ata e ndoqën deri në Bethani ku ai ngriti duart dhe i bekoi. Ndërkohë që po bënte këtë, ai u nda prej tyre dhe u çua lart në qiell.
7 Maj
Po ky Jezus, që u mor e u çua në qiell, do të kthehet pikërisht kështu siç e patë të largohej prej jush. Veprat 1:11
Dy burrat me rroba të bardha që i folën pasuesve të Jezusit, dishepujve iu dukën si njerëz të zakonshëm. Ata sigurisht që do të ishin të përkryer me krahët që u qenë atribuar prej artistëve imagjinues. Ata iu drejtuan burrave në Galile shumë natyrshëm dhe i pyetën se pse rrinin duke mbajtur sytë nga Qielli. Dishepujt u siguruan për kthimin e Krishtit. Ky sigurisht është një prej premtimeve më të rëndësishme, ndoshta më i rëndësishmi, në Bibël … e megjithatë njerëzit vazhdojnë të flasin se ne do të shkojmë në Qiell në vend që të kthehet Jezusi për ringjalljen tonë.
8 Maj
Kemi kryepriftin që u ul në fron në qiell, në anën e djathtë të Madhështisë.
Hebrenjve 8:1
Jezusi bën një punë të rëndësishme në Qiell … duke qenë ndërmjetës dhe kryeprift për vëllezërit e tij në tokë … duke ia paraqitur lutjet e tyre Perëndisë dhe duke ndërhyrë në emër të tyre. Asnjë kryeprift i mëparshëm i Izraelit kishte qenë i përsosur. Përpara se të mund të ofronte sakrifica për mëkatet e njerëzve, ai duhej të ofronte një sakrificë të vetën. Jezusi ishte i shenjtë, i sigurtë, i panjollosur dhe veçan mëkatarëve. Ai u bë Kryeprift në fund të pajtimit të Mosheut, me një betim, sipas urdhrit të Melkicedekut.
9 Maj
Ne kemi një kryeqprift të madh që arriti në qiell, Jezusi, Biri i Perëndisë … Ai nuk u takon atyre që nuk kanë asnjë kuptim për dobësitë tona; por u vu në provë në çdo drejtim, po ashtu si dhe ne, por mbeti pa mëkat. Hebrenjve 4:14-15
Mrekullohuni me mençurinë dhe dashurinë e krijuesit të fuqishëm të qiellit dhe të tokës që lejoi birin e Tij të vetëm të lindej prej një gruaje të vdekshme përmes shpirtit të Tij që jep energji! Jezusi i përjetoi të gjitha emocionet dhe tundimet që provojmë ne, por ai e kapërceu të keqen dhe zhvilloi të mirën. Ai personifikoi ‘fjalën e Perëndisë’ që është ‘e shpejtë dhe e fuqishme si dhe më e mprehtë se sa një shpatë me dy tehe.’ Të gjitha gjërat janë lakuriqe dhe të hapura përpara syve të tij. Ai kupton pafundësisht dhe ka dashuri, njohuri të plota dhe pushtet absolut.
10 Maj
Po shkoj atje për t’ju përgatitur një vend; po të shkoj të përgatis një vend për ju, do të kthehem përsëri për t’ju marrë me vete. Gjoni 14:2-3
Ky ishte premtimi që i bëri Jezusi dishepujve të tij, që do të kthehet nga qielli. Jezusi nuk do ta shkelë fjalën e tij. Ai i qetësoi vëllezërit e tij që ishin të shqetësuar, kur u tha se ishte gati për të ikur. Ai u kërkoi të kishin besim në faktin që ai punonte në emër të tyre, megjithëse nuk do të qe i pranishëm fizikisht.
11 Maj
Perëndia do të dërgojë Jezu Krishtin …të cilin duhet ta marrë qielli derisa të jenë rikthyer të gjitha gjërat. Veprat 3:20-21
Pjetri shëroi burrin sakat në Portën e Bukurtë tempullit pas vdekjes së Krishtit. Më pas, ai i nxiti njerëzit e shumtë që të pendoheshin për ligësinë e tyre në vrasjen e Jezusit. Profetët, të cilët i kishin parathënë vuajtjet dhe vdekjen e Krishtit, gjithashtu tregonin një kohë të mrekullueshme në të ardhmen, kohë ‘rifreskimi prej Zotit’ – koha kur të gjithë popujt e tokës do të bekoheshin me anë të farës së vërtetë të Avrahamit. Ne na është thënë që Jezusi do të mbetet në qiell derisa të vijë kjo kohë.
12 Maj
Kur të dalë urdhri i Zotit, kkur të thërrasë kryeengjëlli, kur t’i bjerë borisë, vetë Zoti do të zbresë nga qielli. Të parët do të ringjallen ata që vdiqën (duke i besuar Krishtit).
1 Selanikasve 4:16
Pali i qetësoi të gjithë ata që mbajtën zi për të vdekurit në Selanik. Vdekja, për ata që i kanë shërbyer Krishtit dhe kanë zbatuar urdhërimet e tij, përqaset me një gjumë nga i cili do të zgjohen, kur të kthehet Jezusi, përmes tingullit të borisë së Perëndisë dhe thirrjes së kryeengjëllit.
Muret e Jerikosë ranë përpara një tingulli më të dobët se ky. Kjo është ringjallja, për të cilën flitet aq hapur në Dhiatën e Re … dhe apostujt e përhapën dhe e besuan atë.
13 Maj
Kini kujdes, po vij shpejt; shpërblimin tuaj do ta sjell me vete.
Apokalipsi 22:12
Ky është mesazhi i fundit i Jezusit për ata që i shkonin pas. Ai foli nga dora e djathtë e Perëndisë në qiell. Jezusi thotë se jo vetëm do të kthehet në këtë tokë, por gjithashtu do të shpërblejë të drejtët me jetën e përjetshme në mbretërinë që do të vendosë kur të vijë.
Nuk ka ndonjë sugjerim në fjalët e Krishtit se njeriu ngjitet në qiell, por pohime të përsëritura që ai, Krishti, do të kthehet në tokë për të vendosur sundimin e tij të drejtë.
14 Maj
Jezu Krishti do të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit kur të vijë. 2 Timoteut 4:1
Jezu Krishti, biri i Perëndisë, dha fjalën që do të kthehej nga qielli. Engjëjt shtuan premtimin e tyre që Jezusi do të kthehej, në kohën që e morën kur ishte me dishepujt. Dishepujt i përcollën këto premtime përmes dëshmisë së tyre të shkruar. Detyra e parë e Zotit tonë do të jetë të ngjallë nga të vdekurit të gjithë ata që janë bërë të përgjegjshëm për gjykim. Të gjallët do të grumbullohen në praninë e Krishtit prej engjëjve. Të gjithë duhet të paraqiten përpara fronit të gjykimit të Krishtit për të marrë miratimin apo dënimin e tij.
15 Maj
Shumë veta që flejnë nën dhe do të zgjohen. Danieli 12:2
Profeti Daniel u udhëzua prej Perëndisë në lidhje me ngjarjet që do të ndodhnin ‘në kohën e fundit.’ Në atë kohë, iu tha atij, do ketë një periudhë trazirash të mëdha; më të mëdha se ato që ka parë ndonjëherë bota që nga fillimi i jetës së njeriut mbi tokë. Të drejtët do të mblidhen dhe do të shpërblehen me jetën e përjetshme, por të tjerët do të marrin turpin dhe përbuzjen e përhershme.
“Të mençurit do të shkëlqejnë,” tha Danieli, “si shkëlqimi i qiellit, dhe ata që u kanë treguar shumë njerëzve të drejtën, si yjet për gjithmonë.”
16 Maj
Të gjithë ata që janë në varr do të dëgjojnë zërin e tij, dhe do të dalin; kush ka bërë mirë, do të ringjallet për jetën e përjetshme; kush ka bërë keq, do të ringjallet për të marrë dënimin e vet. Gjoni 5:28-29
Jezusi u tha çifutëve që “Ati ia kishte besuar të gjithë gjykimin birit” … por për ta qe e vështirë të pranonin që ky burrë i ri e i qetë, i cili lëvizte lirisht mes tyre, duke shëruar e duke bërë të mira, mund të ishte biri i Perëndisë. Jezusi ua shtoi mosbesimin duke deklaruar se do të ngrinte të gjithë ata që dëgjonin mesazhin e tij dhe besonin vërtet tek Perëndia, duke u dhënë atyre jetën e përhershme.
I njëjti mosbesim ekziston sot. Njeriu nuk zotëron një shpirt të pavdekshëm … disa do të ngrihen për të jetuar ndërsa disa jo; kjo do të varet nëse e pranojnë dhe i binden Krishtit apo jo.
17 Maj
Ne të gjithë duhet të dalim përpara fronit të gjykimit të Krishtit; që secili të marrë atë që meriton, sipas asaj që ka bërë në jetën e tij, qofshin ato vepra të mira apo të këqija.
2 Korintasve 5:10
Pali u tha korintasve se ai kishte punuar shumë që të bëhej i pranueshëm për Krishtin, i cili, ai e dinte, do të kthehej në tokë në kohën e gjykimit. Pikërisht ngaqë e dinte që një ndodhi e tillë do të ndodhte me siguri, ai u përpoq aq shumë për të fituar miratimin. Ana e dobët dhe e butë e natyrës së Krishtit njihej mirë; por a e vlerësonin korintasit “llahtarin e Perëndisë?” Pali u tha selanikasve në një letër tjetër që Jezusi dhe engjëjt do të ktheheshin prej qiellit “me flakët e zjarrit, duke u hakmarrë ndaj atyre që nuk njohin Perëndi.”
18 Maj
Kush më kundërshton e nuk pranon fjalët e mia, tashmë ka gjetur gjykatësin e tij; fjala që thashë do të përdoret si dëshmi kundër tij në ditën e fundit. Gjoni 12:48
Jezusi e përshkroi botën në errësirë, ndërsa ai vetë qe në dritë. Ftesa e tij për të gjithë është që të ecin në dritë. Shumica e njerëzve e injorojnë thirrjen e Krishtit dhe zgjedhin errësirën në vend të dritës. Pse e bëjnë këtë? Sepse udha e tyre është e keqja dhe janë egoistë. Duan më mirë të kënaqin veten e tyre sesa të kënaqin Perëndinë. Fajlët e Krishtit janë shkruar shumë qartë për t’u kuptuar nga të gjithë, por në përgjithësi të pavërejtura, qoftë edhe nga kristianët më të deklaruar.
19 Maj
Ky është dënimi, drita erdhi në botë, por njerëzve u pëlqeu më shumë errësira, sepse ata vazhdojnë të veprojnë keq. Gjoni 3:19
Arsyeja pse njerëzit duan errësirën dhe nuk afrohen pranë dritës është ngaqë veprat e tyre janë të këqia. Për këtë kemi fjalën e Krishtit! Ata që përpiqen të kënaqin Zotin me gjërat që mendojnë dhe bëjnë, afrohen automatikisht pranë dritës së fjalës së Perëndisë, për t’u ndriçuar edhe më shumë. Kjo është një vepër besimi që i jep kënaqësi Krijuesit … besimi vjen duke dëgjuar dhe rritet më shumë nëse dëgjohet më shumë.
20 Maj
Mëkati nuk i ngarkohet dikujt kur nuk ka ligj. Romakëve 5:13
Ligji theksoi mëkatësinë e njeriut. Edhe përpara se ligji të vendosej, ai ishte po aq mëkatar, por nuk ishte theksuar. “Ligji u shtua që të gëlonte mëkati…” duke vepruar si një kontrast ndaj dashurisë së Perëndisë. Me qëllim që ndërkohë që mëkati mbretëronte dhe prodhonte vdekjen … po kështu dashuria të mund të mbretëronte përmes drejtësisë dhe të jepte jetën e përjetshme përmes Jezu Krishtit.
21 Maj
Në qoftë se nuk do të kisha ardhur t’u flisja, nuk do të kishin faj; por tani nuk kanë më justifikim për mëkatin e tyre. Gjoni 15:22
E shihni se si dijenia e bën njeriun përgjegjës! Paragjykimet e mësuesve të Ligjit dhe farisenjtë ua errësonin pamjen përpara dritës së ungjillit, por megjithatë ata ishin përgjegjës për veprimet e tyre. Ata e injoronin shansin e mrekullueshëm që u ofroi Perëndia. E injoruan fjalën e Perëndisë. I injoruan shenjat dhe mrekullitë që provuan që Jezusi ishte Biri i Perëndisë … e megjithatë iu kundërvunë veprave të tyre … dhe prandaj ishin përgjegjës. Në lidhje me mrekullitë, kemi edhe fjalën dhe deklaratat e shumë dëshmitarëve okularë. A dëgjojmë në mënyrë të efektshme dhe mësojmë e veprojmë në përputhje me këto?
22 Maj
Ai duhet të shkojë atje ku janë brezat e etërve të tij, të cilët nuk do ta shohin kurrë dritën. Psalmet 49:19
Ata të cilëve nuk u nxirren përgjegjësitë ditën e gjykimit, thjesht vdesin dhe largohen nga kujtesa, si të mos kishin ekzistuar kurrë. Sigurisht që për ta nuk ka shpërblim, por nuk torturohen në një ferr pagan nga një monstër me brirë dhe qime me një zjarr të pashueshëm. Në të vërtetë, ata janë si forma më të ulëta të jetës … zhduken përgjithmonë.
23 Maj
Ata do të zhyten në një gjumë, nga i cili nuk do të zgjohen më. Jirmija 51:57
Sunduesit e kësaj bote dhe të pasurit, ata me influencë dhe të famshmit kanë shpërblimet e tyre në këtë botë. Tani, njerëzit e pranojnë që për indianin e kuq nuk ekzistonte sheshi për gjueti dhe që për norvegjezët nuk ekzistonte Valhalla, e megjithatë shumë besojnë që kristianët ngjiten në qiell kur vdesin. Të tria këto besime janë relike të mësimeve të lashta pagane.
Bibla nuk mëson që ne shkojmë në Qiell për të jetuar me Perëndinë. Ajo mëson që Jezusi kthehet në tokë për të ngritur ata që janë përpjekur t’i binden atij, prej gjumit në varr. Ata që e kanë injoruar atë gjatë jetëve të tyre, do të flenë gjumin e madh.
24 Maj
Ata vdiqën dhe nuk do të jetojnë më; kanë vdekur dhe nuk do të ngrihen; sepse ti i ke ndëshkuar dhe shkatërruar, duke i bërë të zhduken nga kujtesa. Jeshaja 26:14
Ndryshe nga të liqtë, të cilët edhe në tokën e drejtësisë do të kryenin vepra të liga, Jeshaja i deklaroi me besim Perëndisë … “Të vdekurit e tu do të jetojnë, do të ngrihen sëbashku me trupin tim të vdekur … do të zgjohen dhe do të këndojnë nga gëzimi, ata që flenë në varret e tyre – toka do t’i nxjerrë jashtë të vdekurit.” Në besimin e tij nuk ka kurrfarë dyshimi për ringjalljen.
25 Maj
Ai do ta shndërrojë trupin tonë të dobët tokësor, për të qenë i ngjashëm me trupin e tij madhështor. Filipianëve 3:21
Ata njerëz që do të gjykohen të drejtë nga Jezu Krishti në ditën e gjykimit të përgjegjësve, do të marrin, përmes mirësisë së tij, dhuratën falas të pavdekshmërisë. Trupat e tyre të vdekshëm, brenda çastit, do të shndërrohen përmes fuqisë së shpirtit të Perëndisë. Shpirti do të jetë forca jetëdhënëse e trupit, në vend të gjakut. Do të jetë i ngjashëm me trupin që iu dha Krishtit pas ringjalljes së tij.
26 Maj
Të gjithë ne do të shndërrohemi, brenda çastit, sa hap e mbyll sytë … I vdekshmi duhet të veshë mbi trup pavdekësinë. 1 Korintasve 15:51-53
Pali e diskutoi ringjalljen me korintasit. Nuk kishte kurrfarë iluzioni për ngjitjen në qiell. Ai e përqasi trupin me farën që duhet të vdesë përpara se të ‘ngjallet.’ Njeriu mbillet në korruptim dhe ngrihet në moskorruptim; mbillet në çnderim dhe ngrihet në lavdi; mbillet në dobësi dhe ngrihet në pushtet; mbillet një trup natyror dhe ngrihet në një trup shpirtëror. Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë; Adami i fundit u bë një shpirt i ngjallur.
27 Maj
Në këtë jetë jemi të shtypur, dëshirojmë vërtet të mbështillemi në shtëpinë tonë qiellore; … që vdekshmëria të gëlltitet nga pavdekshmëria. 2 Korintasve 5:2-4
Krishti e duroi kryqin për hir të gëzimit që kishte përpara. Ndaj edhe ne duhet të kujtojmë vazhdimisht dhuratën falas të mençurisë së pafundme, të jetës së përjetshme, të të gjithë dijes, të kuptuarit të plotë, dashurisë së vërtetë, paqes së përsosur, një trup të lavdishëm dhe një mendje e kulluar që jepet nga mirësia e tij për ata që i shërbejnë Jezusit besnikërisht, në mungesë të tij.
28 Maj
Perëndia do t’u japë jetën e përjetshme … atyre që, përmes vazhdimësisë së duruar bëjnë mirë, kërkojnë lavdinë, nderin dhe pavdekësinë. Romakëve 2:7
Pali shpjegon në letrën e tij romakëvese çfarë do të marrë ditën e gjykimit i drejti, në krahasim me atë që mund të presë i padrejti. Për kundërshtuesit dhe ata që nuk i binden së vërtetës, ai premton vuajtje dhe dhimbje, zemërim dhe tërbim … sepse janë të liq. Por premton lavdi, nder dhe paqe për ata që bëjnë mirë … qofshin çifutë apo joçifutë.
29 Maj
Ai që pranon të drejtohet nga shpirti, prej shpirtit do të korrë jetën e përjetshme.
Galatasve 6:8
Perëndia nuk përqeshet, sepse njeriu do të korrë çfarëdo që të mbjellë. Pali përdor shembullin e farës së mbjellë në fushë për të na ndihmuar ta shohim jetën tonë të përditshme përmes syve të Perëndisë. Nëse ‘mbjellim në mish’ duke kënaqur shqisat tona dhe kotësinë tonë tani, atëhere do të korrim të vetmin shpërblim që vjen nga mishi … korruptimin.
“Të mos lodhemi duke bërë mirë,” paralajmëron Pali … “Do të vijë koha kur puna juaj të shpërblehet, nëse këmbëngulni dhe nuk hiqni dorë.”
30 Maj
Atje do të qani dhe do të kërcëlleni dhëmbët nga inati, kur të shihni Avrahamin, Jichakun, Jakovin dhe të gjithë profetët, në mbretërinë e Perëndisë, kurse ju vetë do të jeni të përjashtuar prej saj. Luka 13:28
Ata që do të refuzohen prej Krishtit ditën e gjykimit, do të largohen prej tij me turp dhe së fundi do të pushojnë së ekzistuari. Shumë njerëz gabojnë ngaqë nuk besojnë që Perëndia dhe Jezu Krishti janë realë. Ata nuk i besojnë fjalët e regjistruara në Bibël për të udhëhequr. Ata nuk ushtrojnë kurrfarë kontrolli mbi mendimet, fjalët dhe veprat e tyre. Duke refuzuar të përdorin mendjen e tyre për t’i kuptuar këto gjëra, ata injorojnë shansin për të patur jetën e përjetshme, për hir të një periudhe të përkohshme kënaqësie fizike.
31 Maj
Zoti Jezus do të shfaqet nga qielli … do t’i dënojë me flakë ata që nuk njohin Perëndi e nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht; do të dënohen duke u ndarë përgjithmonë nga Zoti, nga madhështia e fuqisë së tij. 2 Selanikasve 1:7-9
Ana e ashpër e karakterit të Krishtit shpesh injorohet. Pali i siguroi selanikasit që vuajtjet e tyre njiheshin në qiell dhe se ata që ishin përgjegjës do të dënoheshin kur të kthehet Zoti i tyre për gjykimin.
Me anë të një parabole, Jezusi i paralajmëroi pasuesit e tij (Luka 12) se janë si shërbëtorët që presin kthimin e Zotit të tyre. Në kohën e duhur do të shpërblehen ose do të dënohen me pak ose shumë rripa. Ai tha, “Kam ardhur për të dërguar zjarr në tokë.”