Prill

1 Prill
Shpirti i Shenjtë do të zbresë mbi ty dhe këtë do ta realizojë fuqia e Tij. Për këtë arsye ky fëmijë i shenjtë që do ta lindësh, do të quhet Biri i Perëndisë.

Luka 1:35

Jezusi nuk ishte vetëm Biri i Perëndisë. Maria, një virgjëreshë me prejardhje nga Davidi, ishte nëna e tij, prandaj ai ishte biri i Davidit. Jezusi i referohej vetes për të dyja.

Në vargun e parë të kapitullit të tij Mateu iu referua Jezusit si biri i Davidit, biri i Avrahamit. Perëndia i premtoi Davidit që biri i tij do të ulej mbi fronin e tij përgjithmonë. Cidkija, mbreti i fundit i Judesë, e humbi fronin e tij për shkak të ligësisë. Trashëgimia (e fronit) u pezullua “derisa të vinte ai që i takonte.” Avrahamit iu premtua që biri i tij do të trashëgonte të gjithë tokën që mund të shihte prej një mali të lartë. Pali e provon tek Galatasve që Jezusi është fara e vërtetë e Avrahamit.

2 Prill
Perëndia dërgoi birin e tij, të lindur nga një grua.

Galatasve 4:4

Ka rëndësi jetike të kuptohen arsyet për lindjen e Krishtit prej një gruaje të vdekshme. Për të na çliruar nga kundravajtja e Adamit, prejardhja e tij, nga nevoja, duhej të shtrihej deri aq prapa në histori. Për të trashëguar premtimet e Avrahamit, ai duhet të kishte prejardhje izraelite. Duhej të ishte bir i Davidit si mbreti i ardhshëm i Izraelit dhe duhej të lindej sipas Ligjit të Mosheut me qëllim që duke e zbatuar atë shumë mirë, të mund të gozhdohej në kryqin e tij dhe të zëvendësohej me Ligjin shpirtëror të vetë atij. Ai e fitoi mbretërimin e shenjtë sipas urdhrit të Melkicedekut, jo prej prejardhjes së Aharonit.

3 Prill
U bë njeri në këtë botë. Filipianëve 2:8

Krishti përfaqësonte Perëndinë dhe mbante emrin e Tij ashtu si engjëjt, por shkruesit e shkrimeve të shenjta mundohen shumë që të sigurohen se ne do ta kuptojmë vdekshmërinë e Krishtit. Herodi dhe ata si puna e tij prisnin që Mesia të kishte prejardhje fisnike … por Jezusi u lind shërbëtor, pa famë, në rrethana të përulura dhe i bindej Perëndisë për çdo gjë. Ai ishte shembull për cilindo; dhe për t’u identifikuar me të, është e domosdoshme që të bëhemi aq modestë e të përulur sa ishte dhe ai.

4 Prill
Unë erdha nga qielli. Gjoni 6:38

Jezusi ishte edhe njerëzor edhe hyjnor; njerëzor sepse ishte biri i Marisë, por hyjnor sepse u nis prej Shpirtit të Shenjtë. Nga ky shpirt ai trashëgoi mençurinë dhe atë lloj karakteri që kishte. Kështu, Jezusi ishte një manifestim i Perëndisë në mish njerëzor.

5 Prill
Në fillim ishte fjala … dhe fjala ishte Perëndi. Fjala u bë njeri i gjallë dhe jetoi në mes tonë (ne pamë lavdinë e tij, lavdinë që i përket të vetmit të lindur të Atit,) plot mirësi dhe vërtetësi. Gjoni 1:1 dhe 14

Ne e dimë që të gjitha profecitë jepen nga frymëzimi i Perëndisë dhe që Bibla u shkrua nga njerëz të shenjtë që flisnin sepse shtyheshin prej Shpirtit të Shenjtë. I gjithë shkrimi i shenjtë është përmbledhja e asaj fuqie të shpirtit të Perëndisë që ‘shtynte’ brenda tyre.

Kur lexojmë, apo ‘ushqehemi’ me fjalën e shpirtit, ne ndajmë bukën e jetës dhe fitojmë forcë për udhëtimin drejt mbretërisë së Perëndisë dhe jetës së përjetshme. Ky lajm i mirë u dha në Dhiatën e Re përmes Jezusit, fjalës së shndërruar në mish, i cili ishte gjithë mirësi dhe vërtetësi.

6 Prill
Meqë … ashtu si fëmijët janë prej mishi dhe gjaku, edhe ai u bë njeri si ata.

Hebrenjve 2:14

Do të kishte qenë e kuptueshme dhe e lehtë për krijuesin e qiellit dhe të tokës që ta kishte shkatërruar njerëzimin në çfarëdo kohe gjatë historisë së vet, për shkak të paaftësisë së njeriut për të zbatuar ligjin e Tij. Megjithatë, Zoti Perëndi tregon mëshirën dhe durimin e Tij duke e anashkaluar mosbindjen e njerëzimit ndërkohë që Ai merr prej tyre një popull për mbretërinë e Tij. Ai madje dërgoi birin e tij të shtrenjtë për të provuar, dhe në këtë mënyrë për të kuptuar plotësisht, problemet dhe dobësitë e racës njerëzore që Ai kishte krijuar.

7 Prill
Me anë të Krishtit, Perëndia largoi atë që i ndante njerëzit prej tij.

2 Korintasve 5:19

Fakti që Perëndia ishte brenda Krishtit, nuk e bën Krishtin Perëndi; aq sa na bën ne Krisht të qenit tek Krishti përmes pagëzimit. Ne urdhërohemi që të jemi ‘një’ me Jezusin dhe përmes bindjes ndaj ligjit të tij shpirtëror bëhemi vëllezërit e tij dhe bashkë-trashëgimtarë të mbretërisë së premtuar. Prania e Perëndisë tek Krishti u tregua përmes dashurisë, vërtetësisë, mirësisë dhe paqes që u manifestuan tek ai. Këto cilësi, sëbashku me përvojën e tij të natyrës së dobët njerëzore, e mundësuan atë që të kishte sukses në punën e tij të pajtimit.

8 Prill
Kush më sheh mua, sheh edhe Atin. Gjoni 14:9

Jezusi thjesht ka thënë, “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; asnjë njeri nuk vjen tek ati përveçse përmes meje.” Duke njohur Jezusin, i cili jetoi vetëm për të plotësuar dëshirat e atit të tij, Filipi duhet ta kishte njohur Perëndinë. Jezusi përdori faktin e padiskutueshëm që pa fuqinë e Perëndisë ai nuk do të mund t’i kishte bërë punët e vështira që kreu në praninë e tyre, për të provuar që ai ishte tek Ati, dhe se Ati ishte i pranishëm tek ai. Veprat e tij patën dëshmitarë shumë njerëz që nuk fituan asgjë për dëshminë e tyre në këtë jetë përveç persekutimit. Fjalët e tij kanë vlerë edhe për sot.

9 Prill
Ti do t’ia vësh emrin Jezus, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.

Mateu 1:21

Emri ‘Jezus’ ka origjinë hebreje dhe do të thotë “Perëndia do të shpëtojë” ose “Shpëtimtar.” “Krishti” është një fjalë greke që do të thotë “mirosur,” që do të thotë se ai ishte caktuar të ishte një mbret. Mirosja është një ceremoni me anë të së cilës mbretërit dhe priftërinjtë, me anë të caktimit hyjnor, bekoheshin në postet e tyre. Nënkuptonte hedhjen e vajit të shenjtë në kokë. Megjithatë, Jezusi u miros me atë nga i cili vjen vaji i zakonit të lashtë. Ai u miros me shpirtin e Perëndisë në pagëzimin e tij në lumin Jordan. Prandaj, emri “Jezu Krisht” do të thotë “Shpëtimtar dhe Mbret.”

10 Prill
Perëndia e mirosi Jezusin nga Nazareti me Shpirtin e Shenjtë dhe me fuqi: dhe ky bëri shumë të mira. Veprat 10:38

Në fjalën greke për shpirtin dhe frymën, ‘pneuma’, si tek fjala pneumatik, përfshihet ideja e fuqisë. Krishti e përdori këtë fuqi nga Perëndia në mënyrë krijuese; për të shëruar, për të risjellë në jetë dhe për të ushqyer të shumtit. Ai u përmbajt dhe nuk e përdori për të ushqyer veten, për të mbrojtur veten apo për t’u vetë-lartësuar. Jezusi predikoi lajmin e mirë apo ungjillin e Mbretërisë së Perëndisë. Fuqia e Shpirtit të Shenjtëe vërtetoi përmes veprave të tij që ajo çka tha ai ishte e vërtetë.

11 Prill
Jezusi u pagëzua si të gjithë njerëzit e tjerë. Pas kësaj, kur po lutej, u hap qielli; Shpirti i Shenjtë zbriti tek ai si pëllumb. Luka 3:21-22

E njëjta fuqi e Shpirtit të Shenjtë zbriti tek dishepujt pas ngjitjes së Jezusit në qiell. Në këtë rast, u pa si gjuhë të prera zjarri. Efekti ishte i njëjtë. Perëndia, përmes Shpirtit të Tij të Shenjtë, u bë dëshmitar që fjalët dhe veprat e dishepujve mbanin vulën e Tij të vërtetësisë. Apostujt vdiqën dhe në fund, fuqia e Shpirtit të Shenjtë u tërhoq. Mbi profetët zbriti errësira … epoka e mrekullive kishte kaluar.

12 Prill
Perëndia jua fali mëkatet për hir të Krishtit. Efesianëve 4:32

Mospërsosuritë tona janë falur vetëm me mirësinë e Perëndisë, me anën e sakrificës së Krishtit. Si shpërblim, nga ne pritet që të ndryshojmë mënyrën tonë të të jetuarit: nuk duhet ta lëmë kurrë diellin të zbresë mbi inatin tonë; nuk duhet të gënjejmë apo të vjedhim; duhet t’i rezistojmë tundimeve; të punojmë fort për të mirën e të tjerëve dhe të kapërcejmë çfarëdo zemërimi apo inati nga i cili mund të anojmë; të bërtiturit, të sharët dhe të gjitha llojet e keqdashjes duhet të shmangen. Në vend të këtyre, nga ne pritet të jemi të mirë, me zemër të dhimbsur dhe të falim njëri-tjetrin … ashtu siç na ka falur ne Perëndia, për hir të Krishtit.

13 Prill
Nga i cili kemi çlirimin përmes gjakut të tij, edhe faljen e mëkateve.

Kolosianëve 1:14

Çlirimi i ofrohet cilitdo por njihet dhe pranohet nga shumë pak vetë. Për të pasur të drejtë, duhet të besojmë që Perëndia ekziston dhe se Ai do ta shpërblejë cilindo që e kërkon Atë me zell. Edhe shpëtimi duhet arritur përmes përuljes dhe frikës. Pali u lut që kolosianët të mbusheshin me dijeninë e kërkesave të Krishtit dhe t’u jepej mençuri dhe mirëkuptim shpirtëror i mjaftueshëm për t’i përshtatur në jetët e tyre. Mençuria dhe të kuptuarit e mirësisë së Perëndisë dhe sakrifica e Zotit tonë tregohet nga fjalët dhe veprat e secilit.

14 Prill
Mëkatet tuaja janë falur për hir të emrit të tij. 1 Gjonit 2:12

Në letrën e tij të parë, Gjoni shpjegoi se Jezu Krishti, i drejti, është pajtimi për mëkatet tona. Por falja vjen me kusht, sepse ai shkroi gjithashtu, “Nëse themi se jemi të lidhur me të, dhe ecim në errësirë, atëhere gënjejmë dhe nuk themi të vërtetën.” “Nëse jemi të lidhur me Jezu Krishtin,” vazhdon ai, “gjaku i Jezu Krishtit na pastron nga çdo mëkat.” Duhet të rrëfejmë dhe të braktisim dështimet tona përpara se të presim faljen.

15 Prill
Perëndia e ngriti birin e Tij Jezusin dhe e dërgoi t’ju bekonte ju, që secili të kthehet nga rruga e mbrapshtë. Veprat 3:26

Pjetri fitoi vëmendjen e njerëzve kur, (përmes fuqisë së Shpirtit të Shenjtë), shëroi sakatin në derën e tempullit. Mesazhi i tij ishte i thjeshtë. Për të fituar bekimin e pavdekësisë, të bërë të mundur nga vdekja dhe ringjallja e Jezusit, ata duhet të ndryshojnë mënyrën e tyre të të jetuarit … duke u larguar nga mbrapshtitë.

Njerëzit e varfër e dëgjuan me gëzim, ndërsa priftërinjtë dhe saducenjtë e vetë-kënaqur, xhelozë për mrekullinë që kishin parë, ia ndaluan Pjetrit dhe Gjonit të predikonin në emër të Jezusit.

16 Prill
Atë që Ligji nuk mundi ta arrijë, sepse ne njerëzit jemitë dobët përmes mishit, e ka bërë Perëndia duke dërguar birin e Tij në një trup si mishi mëkatar që ta mposhtë atje pushtetin e mëkatit. Romakëve 8:3

Mëkati është dënuar në vdekjen e Jezusit mbi kryq dhe drejtësia e Perëndisë është deklaruar dhe ekspozuar përpara gjithë botës përmes derdhjes së gjakut të tij. Falja e mëkateve është bërë e mundur dhe është hapur rruga për në jetën e përjetshme përmes ringjalljes së Jezusit nga vdekja. Jezusi i bindej Perëndisë në të gjitha gjërat, edhe në vdekjen mbi kryq. Perëndia e ngriti atë nga të vdekurit për të mos vdekur më. Kështu ai u bë i pari i lindur i një krijimi të ri.

17 Prill
Perëndia e paraqiti Jezusin për ta bërë flijim pajtues në gjakun e tij, për të deklaruar drejtësinë e tij për pakësimin e mëkateve të kaluara, përmes durimit të Perëndisë; duke treguar kështu që ishte i drejtë. Romakëve 3:25-26

Jezusi i bindej Perëndisë në mënyrë të përkryer në të gjitha gjërat; në çdo hollësi të Ligjit të Mosheut: Ai kuptoi nga shkrimet e shenjta se çfarë kërkohej prej tij dhe me vullnetin e tij iu nënshtrua një vdekjeje të turpshme për t’iu bindur Perëndisë. Vetë-sakrifica e tij e madhe bëri që të vihej nën mallkimin e Ligjit, sepse ai ‘u var në një pemë.’ Megjithatë, Ligji ishte përmbushur dhe u hoq në çastin e vdekjes së Krishtit. “Mbaroi” tha ai dhe menjëherë, velloja e tempullit u gris në dysh, duke jetuar që njeriu të mund të arrinte tek Perëndia përmes gjakut të sakrificës së përsosur të Krishtit.

18 Prill
Ai u poshtërua aq shumë, saqë iu nënshtrua edhe vdekjes. Filipianëve 2:8

Jezusi nuk bëhet automatikisht i drejtë për të gjithë njerëzit. Vdekja e tij në bindje ishte si ajo e një qingji të përsosur, ofruar si sakrificë sipas Ligjit të Mosheut. Është një pajtim vetëm për ata që kanë besim në gjakun e tij dhe e kuptojnë se pse duhej derdhur. Besimi mund të vijë vetëm duke dëgjuar dhe njohur fjalën e Perëndisë.

19 Prill
Ky erdhi te Pilati dhe iu lut për trupin e Jezusit. E zbriti, e mbështolli me pëlhurë dhe e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Luka 23:52-53

Dishepujt e Perëndisë ishin njerëz të marrë nga çdo fushë e jetës. Disa ishin peshkatarë analfabetë, disa të tjerë ishin më të shkolluar, si zyrtari i doganës dhe mjeku; kishte edhe ca të paktë si Jozefi i Arimatesë, një person i pasur, i mirë dhe i drejtë. Ai ishte këshilltar por nuk kishte qenë dakort me veprat e atyre që vranë Jezusin. Ai priti për Mbretërinë e Perëndisë. Jozefi dhe një këshilltar tjetër, Nikodemi, sollën me vete rreth tridhjetë kilogramë mirrë dhe aloe dhe sëbashku e lyen me erëza trupin e Zotit dhe e mbështollën me një pëlhurë, siç e kanë zakon çifutët kur varrosin të vdekurit.

20 Prill
Ashtu siç ishte Jona në barkun e balenës për tri ditë e tri net, ashtu dhe biri i njeriut do të jetë për tri ditë e tri net në zemrën e tokës. Mateu 12:40

Aty nga fundi i misionit të tij, Jezusi i përgatiti haptas dishepujt e tij për ngjarjet e tmerrshme që do të ndodhnin së shpejti. Atyre iu tha që ai do të refuzohej nga kryepriftërinjtë dhe nga të moshuarit, që do të vritej, që do të mbetej në varr për tri ditë dhe pastaj do të ‘ngrihej përsëri.’ Shumica e njerëzve besojnë që Jezusi vdiq një të premte, duke mos kuptuar që e shtuna që përmendej ishte një ‘Ditë e Lartë’ dhe jo e shtuna e zakonshme. Nëse Jezusi ishte për tri ditë dhe tri net në varr dhe u ngrit të dielën në mëngjes, atëhere duhej të ishte kryqëzuar përpara të premtes.

21 Prill
Ju kërkoni Jezusin nga Nazareti që u kryqëzua; ai është ngritur; nuk është këtu; shihni vendin ku e kishin shtrirë. Marku 16:6

Pas ditës së tretë, Perëndia e ngriti Jezusin nga të vdekurit. Një tërmet e shkundi varrin dhe një engjëll zbriti nga qielli, duke rrotulluar shkëmbin prej hyrjes së varrit. Rojet që ishin vendosur prej kryepriftërinjve u drodhën dhe u paralizuan si njerëz të vdekur. Engjëlli u foli bindshëm grave dhe u shpjegoi çfarë kishte ndodhur, duke u thënë që Jezusi ishte ngritur dhe që do ta shihnin dishepujt e tij në Galile.

22 Prill
Perëndia e ringjalli ditën e tretë. Veprat 10:40

Bindja e përsosur e Jezusit për çdo gjë, edhe për kryqëzimin, e bënte të pamundur që ai të lidhej nga vdekja, e cila sipas Ligjit, ishte ‘paga për mëkatin.’

Fjalët e Krishtit për hajdutin në kryq “Këtë ditë ti do të jesh me mua në parajsë,” janë keqkuptuar nda disa, të cilët besojnë që Jezusi, (dhe në fakt, të gjithë njerëzit) u ngjitën në Qiell menjëherë pas vdekjes. Jezusit i qe kërkuar ta kujtonte hajdutin kur të vinte në mbretërinë e tij. Ai u përgjigj “Sot” (fjala greke ‘semeron’ që gjithashtu do të thotë ‘këtë ditë,’ ose ‘atë ditë për të cilën po flet,’) “ti do të jesh me mua në parajsë;’ dhe e dimë që Zoti i tha Marisë, tri ditë pas kryqëzimit “Mos më prek sepse nuk jam ngjitur ende tek Ati im.”


previous page table of contents next page