Mars

1 Mars
Askush nuk mund të të lavdërojë Ty në botën e të vdekurve; të vdekurit nuk mund të të besojnë Ty; ata që zhyten në fund nuk mund të shpresojnë për të vërtetën Tënde. Të gjallët, të gjallët, ata do të të lavdërojnë Ty. Jeshaja 38:18-19

Gjoni na tregon tek Apokalipsi që Perëndia i krijoi të gjitha gjërat për kënaqësinë e tij. E dimë na përvoja jonë që çdo njeri kënaqet kur vlerësohet. Vlerësimi është një akt dashurie, dhe urdhëresa më e madhe e Perëndisë dhe e Jezusit është që duhet ta tregojmë dashurinë tonë për të. Nuk mund ta lëvdojmë Perëndinë aq sa duhet për dhuratat e Tij të shkëlqyera për njerëzimin. Është kënaqësia dhe detyra jonë ta lëvdojmë Atë vazhdimisht në çdo gjë që bëjmë…sa kemi kohë ende.

2 Mars
Vdekja e jep pagën e vet: vdekjen. Romës 6:23

Bibla është bërë që të këshillojë njerëzimin për përgjigjen e duhur për çdo sfidë. Ajo përmban Ligjin e Perëndisë. Mosheu la një ligj për të drejtuar izraelitët gjatë pushtimit të Tokës së Kënanit. Aty thuhej “Ju duhet të” … dhe “Ju nuk duhet të”… Jezusi e mori këtë ligj dhe e përmbushi dhe kjo u gozhdua në kryqin e tij. Ligji shpirtëror që la ai kërkon parapëlqimin dhe mendimin përpara se të ndërmerren veprime. Kur shkelim ligjin e Perëndisë, në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme … kjo përbën MËKAT. Nëse vrasim mendjen për të bërë mirë, na ofrohet JETA. Nëse nuk e bëjmë këtë … trashëgojmë VDEKJEN.

3 Mars
Meqenëse ke ngrënë nga pema nga e cila unë të urdhërova të mos haje … pluhur ishe dhe në pluhur do të kthehesh. Zanafilla 3:17-19

“Njeriu është i vdekshëm për shkak të mëkatit. Ligji i Perëndisë thotë që mëkatarët duhet të vdesin. Adami, babai ynë i parë, mëkatoi dhe u dënua të vdiste. Vdekja filloi me të dhe erdhi tek ne përmes tij. Ne trashëgojmë natyrën që kishte ai pasi u dënua të vdiste. Përpos kësaj, të gjithë ne vetë jemi mëkatarë dhe kështu, personalisht, jemi nën dënimin me vdekje.” Eva ndoqi preferencën e saj në vend të urdhëresës së Perëndisë … ajo u nxit prej gjarprit që i tha asaj atë çka ajo desh të dëgjonte. Adami dëgjoi gruan e tij në vend që të dëgjonte Perëndinë. Secili individ, në mënyra të ndryshme, përjeton sfida të ngjashme gjatë gjithë jetës. Mënyra se si përballohen ato është me rëndësi jetësore për shpëtimin. Për të përballuar tundimin, njeriu duhet të pranojë më parë që ai tundim ekzsiton.

4 Mars
Siç erdhi mëkati në botë me anë të një njeriu, kështu solli edhe vdekjen; dhe të gjihtë ranë nën sundimin e vdekjes. Romakëve 5:12

Është e natyrshme t’i vihet faji Adamit për mallkimin e vdekjes që ai i solli njerëzimit … për dhimbjet, dëshpërimin dhe dobësinë … për sëmundjet, epidemitë dhe korrupsionin … për kotësinë, sfilitjen dhe mosbindjen. Vetëm kur të kemi përjetuar vuajtje të tilla në jetë dhe të kemi dalë të paprekur atëhere jemi në një pozitë për të komentuar … dhe pasi të na jetë dhënë, përmes mirësisë së Perëndisë, mençuria, besimi dhe përulja për t’i rezistuar tundimit, atëhere sigurisht që nuk do të dënonim.

5 Mars

Të gjithë njerëzit vijnë prej Adamit, ndaj duhet të vdesin. 1 Korintasve 15:22

Disa korintas kristianë i thanë Palit se nuk besonin në ringjalljen e Jezu Krishtit. Pali u shpjegoi me hollësi se po të qe se Jezusi thjesht kishte vdekur dhe nuk do të qe ringjallur … atëhere askush nuk mund të kishte aspak shpresë. Shpresa jonë vjen nga fakti që Krishti u ngrit nga vdekja ditën e tretë ashtu siç kishte parathënë dhe siç kishin premtuar shkrimet e shenjta. Po kështu, ai i siguron të gjithë ata që pagëzohen në emrin e tij shpëtues dhe zbatojnë urdhëresat e tij, se edhe ata do të ringjallen me ardhjen e tij të dytë dhe do të jetojnë këtu në tokë, në paqe, përjetësisht.

6 Mars
Nëpërmjet mosbindjes së një njeriu, u dënuan që të gjithë. Romakëve 5:18

Njerëzimi, përmes një akti të vetëm të mosbindjes, u dënua me vdekje dhe korruptim shumica e njerëzve nuk e kuptojnë ngjashmërinë midis shansit që është i pranishëm sot dhe atij që ishte në dispozicion të Adamit në fillim. Ai u udhëzua të mos ta prekte frutin e një peme, as ta hante, përndryshe do të vdiste. Gjarpri tha se Perëndia nuk e ka me të vërtetë atë që thotë, kështu Adami hëngri … dhe Adami vdiq.

Ne udhëzohemi të ndërmarrim një veprim pozitiv në lidhje me Krishtin me qëllim që të fitojmë jetën, por zëri i tundimit është përsëri aty duke thënë se nuk është e vërtetë … “Mos ia vër veshin dhe shijoje.” Besimi në fjalën e Perëndisë është i domosdoshëm. Nëse ia vëmë veshin ndonjë zëri që kundërshton atë të Tij, ne vdesim.

7 Mars
Të gjithë kanë mëkatuar dhe humbur madhështinë që u dha Perëndia.

Romakëve 3:23

Apostulli Pal që ia kushtoi jetën e tij predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë, vazhdimisht vajtonte faktin që kur donte të bënte mirë, e keqja ishte e pranishme me të. E keqja vazhdimisht del përpara midis qëllimit dhe veprimit, duke na ndarë nga lavdia e Perëndisë. Përmes mirësisë apo si favor, ne inkurajohemi vazhdimisht t’i rezistojmë armikut, qoftë ky apatia, përtacia, preokupimi, mosbesimi, egoizmi apo makutëria. Për t’u konsideruar i denjë për mirësinë, ne duhet të kemi besimin që Perëndia jo vetëm ekziston por që Ai do ta mbajë premtimin e Tij për të na çliruar, përmes gjakut të birit të Tij, Jezu Krishtit.

8 Mars
Unë do t’i çliroj ata nga forca e varrit; do t’i shpëtoj ata nga vdekja.

Hoshea 13:14

Kjo botë e mrekullueshme u krijua prej Perëndisë për t’i dhënë Atij kënaqësi. Ai premtoi që do të trashëgohet prej të bindurve dhe se ata do të kënaqeshin prej mbizotërimit të paqes. Është e qartë që kjo nuk është e mundur me sundimtarët e tanishëm të botës. Në Psalmin 37, Davidi tha që pas pak kohësh, megjithëse mund të kërkosh me zell një person të lig, nuk do ta gjesh dot. Bibla nuk premton paqe për botën deri në kohën e rikthimit të shpëtimtarit të saj. Ata që besojnë Perëndinë do të çlirohen prej vdekjes, përmes besimit të tyre dhe bindjes ndaj Jezu Krishtit.

9 Mars
Ai do ta shkatërrojë vdekjen plotësisht. Jeshaja 25:8

Raca njerëzore nuk do të jetë gjithnjë e nënshtruar ndaj gjendjes së tanishme të ligë dhe të vdekshme. Perëndia do të bëjë që vdekja të ndalojë duke larguar mëkatin plotësisht nga toka. Adamit iu premtua që megjithëse pjella e gjarprit do të mahiste thembrën e njërit prej prejardhësve të gruas së tij, duke shkaktuar dëm të përkohshëm, duke bërë këtë do t’i shkaktohej një plagë në kokë nga e cila do të vdiste. Jezusi e shtypi fuqinë e farës së gjarprit, atë brez nepërkash, kur u ngrit në dritën e mëngjesit të ringjalljes. Në atë çast, vdekja u përpi në një fitore të cilën jemi të gjithë të ftuar ta ndajmë.

10 Mars
Nuk do të ketë më as vdekje, as ofshamë, as lotë. Apokalipsi 21:4

Eliminimi i plotë i dhimbjes, ofshamës, vajit, lotëve dhe vdekjes premtohet në botën e ardhshme, për ata që tani kanë etje për ujin e jetës. Kujtohet Jezusi duke qarë në qetësinë e tempullit të shkëlqyer të Herodit në Jeruzalem. “Kush ka etje të vijë tek unë e të pijë. Kush beson në mua, siç thuhet në shkrimin e shenjtë, atij do t’i rrjedhë nga zemra burimi i ujit të gjallë’… me këtë Jezusi kishte parasysh Shpirtin që duhet ta merrnin ata që besonin tek ai.” Gjithashtu ai foli qetësisht për të njëjtën gjë edhe gruas nga Samari “ujin që do t’i jap unë, do të bëhet në të një burim i jetës së përjetshme.”

11 Mars
Si armik të fundit do të asgjësojë vdekjen. 1 Korintasve 15:26

Krishti ishte i pari i racës njerëzore që u ngrit nga të vdekurit në jetën e përjetshme. Pali iu referua atij si “fruti i parë” sepse pjesa e parë e pjekur e të korrave ofrohej si premtim apo mostër e të korrave të ardhshme. Sipas Ligjit të Mosheut i ofrohej Perëndisë. Jezusi i referohej atyre që e dëgjonin atë me emrin të korrat. Ata ia dedikojnë jetët e tyre shërbimit për Perëndinë dhe do të ngrihen në një jetë të re kur të kthehet Jezusi. Shpëtimtari ynë përshkruhet si Luani i Fisit të Judesë që do të mposhtë të gjithë ata që e kundërshtojnë dhe më në fund do t’ia dorëzojë mbretërinë që do të ngrejë atit të tij, Zotit Perëndi … një qenie tërësisht tjetër.

12 Mars
Mëkati jep pagën e vet: vdekjen; por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme përmes Jezu Krishtit Zotit tonë. Romakëve 6:23

Puna e madhe që Jezusit iu ngarkua të kryente nga ati i tij, ishte të largonte mëkatin dhe të hapte rrugën për jetën e pavdekshme. Akti i madh i dashurisë së Perëndisë për njerëzimin ishte dhurimi i birit të Tij të vetëm të shtrenjtë. Kur lexojmë në fillim parabolën për vreshtin tmerrohemi që pasi disa të dërguar janë trajtuar turpshëm, Zoti dërgon birin e Tij të vetëm që të marrë atë që i takon. Në mënyrë të parashikueshme, i biri vritet prej qiraxhinjve të ligj të cilëve u shkaktohet vdekja siç e meritojnë. Në jetën e vërtetë, Zoti Perëndi vazhdon ta tregojë dashurinë e Tij duke përdorur aktin e mrekullueshëm të bindjes të birit të Tij, si një mjet për të lejuar njerëzimin të ndajë trashëgiminë e tij.

13 Mars
Ja Qingji i Perëndisë që i shlyen mëkatin botës. Gjoni 1:29

Bibla mëson thjesht që Perëndia nuk do të falë mëkate pa derdhur gjak. Adamit dhe Evës iu dha ky mësim kur lëkurët e kafshëve të vrara zëvendësuan mbulesat e tyre me gjethe fiku. Sipas Ligjit të Mosheut, kur ishin kryer mëkate, vritej një kafshë apo një zog si zëvendësim. Pali shpjegoi në letrën e tij Hebrenjve që ky ritual vjetor nuk mund ta shlyente vërtet mëkatin. Vetëm një anëtar tërësisht i pamëkat i racës së Adamit kishte të drejtën për të jetuar sipas Ligjit. Jezusi e dha jetën e tij lirisht si një sakrificë për njerëzimin. Përmes identifikimit me një njeri të tillë përmes pagëzimit, vuajtjes dhe bindjes, mund të ndahet sakrifica dhe trashëgimia e tij.

14 Mars
Kushdo mëkaton rebelohet kundër ligjit; sepse mëkati është rebelim kundër ligjit.

1 Gjonit 3:4

Mëkati është mosbindje ndaj Perëndisë. Çdo vend ka ligje dhe gjithë qytetarët kanë përgjegjësinë t’i njohin dhe t’i zbatojnë ato. Injoranca ndaj ligjit nuk është shfajësim për mosbindje ndaj tij.

Pali na tregon që përpara se të vinte Jezusi, Perëndia i mbylli sytë ndaj injorancës dhe mosbindjes së përgjithshme të gjithë popujve ndaj ligjit të Tij. Tani, Ai urdhëron që të gjithë njerëzit kudo të pendohen. Perëndia pret që të gjithë t’i njohin urdhëresat e Krishtit, dhe i kërkon çdo njeriu llogari nëse ndonjëri apo ndonjëra nuk bindet.

15 Mars
Jezusi u kthye e i tha Pjetrit, Largohu, o Satan: ti dëshiron të më largosh nga rruga e Perëndisë. Mateu 16:23

Pjetri kish qenë i bekuar për shkak të besimit të tij fëminor që Jezusi ishte biri i Perëndisë. ‘Pjetër’ do të thotë ‘gur’; “Dhe mbi këtë gur,” tha Jezusi, “do të ndërtoj kishën time.” Pak kohë më pas Pjetri u quajt Satan, ose në hebraisht, një ‘kundërshtar.’ Pa menduar, ai kishte qortuar Krishtin dhe kishte thënë që ai nuk do të vuante apo vdiste. Dashuria, pa të kuptuarin, ishte shndërruar në negative. Pjetri po thoshte se Jezusi duhet të mos i bindej Perëndisë. Zotërimi i çelësit të dijes për të ndihmuar shumë njerëz për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë, nuk do të thoshte që Pjetri nuk mund të bënte gabime. Ashtu siç na tregon Pali në letrat e tij, Pjetri ishte në gjendje të bënte gabime … ishte i vdekshëm siç jemi të gjithë ne.

16 Mars
Dëshironim të vinim te ju patjetër, edhe unë Pali; por na pengoi Satani.

1 Selanikasve 2:18

“Satani” e pengoi Palin të vizitonte kishën në Selanik. Duke përdorur atë fjalë të veçantë, Pali i referohej ose tendencës së ligë në zemrën e njerëzve ose ndoshta një kundërshtari të caktuar fizik. Personi në fjalë mund të ketë qenë një zyrtar qeveritar … ose në fakt, kushdo … por ngaqë ai i rezistoi përpjekjeve të Palit për të predikuar ungjillin, ai ishte bërë një ‘Satan’ për të.

Njerëzit që mendojnë pengohen të pranojnë Kristianizmin nga besimet e Kishës në një personazh me brirë, me thundra të çara, me bisht dhe tredhëmbësh, i cili jeton në zjarr në zemër të tokës. Ky është një shembull i supersticionit Pagan të adoptuar nga Kisha Kristiane primitive.

17 Mars
Pjetri tha, Hanani, pse ia hape Satanit zemrën tënde për t’i gënjyer Shpirtit të Shenjtë dhe mban për vete një pjesë të shumës së nxjerrë nga shitja e tokës?

Veprat 5:3

Hipokrizia, gënjeshtrat, mashtrimi dhe pretendimi janë neveri për Perëndinë. Ata dishepuj që zotëronin toka, e shitën në mënyrë të vullnetshme dhe ua sollën paratë apostujve. Hananija dhe Safira ishin mes atyre që e bënë një gjë të tillë, … por një pjesë të parave e mbajtën për veten e tyre … ndërkohë që pretendonin se ua kishin dhënë të gjitha apostujve. Pjetrit i ishte dhënë dhurata e Shpirtit të Shenjtë në Rrëshaja; domethënë, fuqia krijuese për të ditur gjithçka dhe për të parë gjithçka e Perëndisë. Ashtu si Jezusi, të cilit i ishte dhënë Shpirti në brigjet e lumit Jordan, ai e njihte mendjen e njeriut. Kushdo që e sugjeroi mashtrimin, ishte Satani për Hananinë dhe shkaktoi vdekjen e tij.

18 Mars
Engjëlli i Zotit e pyeti, Përse e godite gomaricën tënde tri herë? Unë vetë të kam kundërshtuar, sepse ti je në rrugë të gabuar. Regjistrimet 22:32

Si një që kundërshtonte një tjetër, engjëlli ishte një Satan për Bilamin … kjo është fjala hebraisht që përdoret faktikisht tek Regjistrimet 22:22. Në atë rast u përkthye ‘kundërshtar’ sepse besimi popullor në kohën e përkthyesit nuk mund ta konceptonte që një engjëll të ishte një Satan. Ajo që po bënte profeti ishte e gabuar në sytë e Perëndisë, ndaj dhe engjëlli i zuri rrugën gomaricës së tij.

19 Mars
Jezusi iu përgjigj, A nuk ju zgjodha unë vetë ju të dymbëdhjetëve, e megjithatë, njëri prej jush është djall? E kishte fjalën për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse Juda ishte njëri prej të dymbëdhjetëve që më pas do ta tradhëtonte.

Gjoni 6:70-71

“Fjala e Biblës, Djall, do të thotë shpifës, dhe përshkruan një njeri që akuzon apo tradhëton një tjetër duke sajuar. Mund të përdoret për një njeri, për sundimtarët apo për një popull; përdoret veçanërisht për impulsin e natyrës sonë e cila përgojon Perëndinë dhe mashtron njerëzit duke sugjeruar se Perëndia nuk i ka me të vërtetë ato që thotë.

Jezusi kapërceu çdo shtytje për të mëkatuar dhe më në fund do t’i largojë të gjitha ndikimet e liga të mëkatit nga toka.”

20 Mars
Djalli do të fusë disa nga ju në burg për t’ju vënë në provë; për dhjetë ditë do t’ju përndjekin; qëndro besnik deri në vdekje. Atëhere do t’ju jap si shpërblim kurorën e jetës së përjetshme. Apokalipsi 2:10

Libri i Zbulesës, ose Apokalipsi, u shkrua nga apostulli Gjon. Jezusi iu shfaq atij kur ky ishte i moshuar dhe jetonte në azil në ishullin Patmos dhe me gjuhën e shenjave i zbuloi gjërat që do të ndodhnin në botë përpara se të kthehej ai. Në mendjet e shumë njerëzve shkaktohet konfuzion si pasojë e të kuptuarit popullor të fjalës ‘djall.’ Njerëzve mëkatarë me autoritet, të cilëve u referohet këtu, do ta kishin shkatërruar librin nëse do t’u ishte referuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë.

21 Mars
Edhe vetë Jezusi u bë njeri si ata (me mish e gjak); që ta shfuqizonte atë që e kishte në dorë pushtetin e vdekjes, domethënë, djallin. Hebrenjve 2:14

Sapo të kemi kuptuar që djalli nuk është një qenie e mbinatyrshme, por personifikimi i mëkatit në shkrimet e shenjta, në manifestimet e veta të ndryshme mes njerëzve, atëhere mund të kuptojmë referencat biblike në të. Mëkati është kundravajtja e ligjit të Perëndisë dhe çon pashmangshmërisht në vdekje. Kushdo, apo çfarëdo, me çfarëdo mjetesh, ka pushtetin të bëjë një kryq mbi vijën mes të drejtës dhe të gabuarës në prani të Perëndisë, ka fuqinë e vdekjes. Nga Adami ne trashëgojmë tendencën nga e keqja dhe vdekja. Duhej bindja e përkryer e njërit prej djemve të Adamit që të na mundësonte ne që të kapërcenim (përmes identifikimit me të) fuqinë e mëkatit brenda dhe jashtë vetes sonë.

23 Mars
Kush bën mëkat, i përket djallit, sepse djalli mëkatoi që nga fillimi. Për këtë qëllim erdhi biri i Perëndisë, që të shkatërronte veprat e djallit. 1 Gjonit 3:8

Në Malin e Ullinjve, Jezusin e pyetën Farisejtë. Gjoni na thotë në kapitullin e tij të tetë se si Jezusi u shpjegoi dishepujve të tij se e vërteta do t’i çlironte. Farisejtë e kundërshtuan me forcë duke thënë se ishin tashmë të lirë, duke qenë fëmijët e Avrahamit. Ata nuk kishin kurrfarë perceptimi shpirtëror. Si mund të ishin fëmijë të vërtetë të Avrahamit kur u mungonte besimi i tij dhe nuk njihnin birin dhe trashëgimtarin e tij të vërtetë? Jezusi i tha atij thjesht që vinin prej atit të tyre, djallit, sepse kërkonin ta vrisnin dhe ngaqë ishin gënjeshtarë dhe shpifës.

23 Mars
Ky është Biri im i dashur, i zgjedhuri im. Mateu 3:17

Profetët kishin pritur arritjen e birit të Perëndisë, dhe në të gjitha kohërat e Dhiatës së Vjetër besimtarët kishin pritur për të. Në kapitullin e tij të nëntë, Jeshaja shkruan “Se lindi për ne fëmijë, na u dha bir! Dhe ai do të jetë sundimtari ynë. Ai do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, Perëndi i fuqishëm, Ati i përjetshëm, Princ i Paqes.” Kur ai arriti, të paktë ishin ata që e njohën. Kur u zhyt në Lumin Jordan nga Gjon Pagëzori, Perëndia e deklaroi birësinë e tij nga qielli përpara shumë dëshmitarëve.

24 Mars
Jam Biri i Perëndisë. Gjoni 10:36

Çifutët kishin vendosur që kur të vinte Mesia, ai do të ishte një mbret luftëtar që do t’i shpëtonte ata prej romakëve. Ata i anashkaluan profecitë që flisnin për lindjen e tij të varfër, dobësinë e tij, përuljen dhe të qenit jotërheqës për bashkëkombasit izraelitë. Psalmet profetike duhet t’i kishin udhëzuar çifutët, por sytë e tyre ishin të mbyllur, veshët të zënë dhe të kuptuarit qe errësuar sepse zemrat e tyre nuk qenë ku duhej. Ata ishin të papranueshëm për Perëndinë. Jezusi e dinte fatin e tij që kur ishte i ri fare … edhe kur ishte dymbëdhjetë vjeç ai mund t’i shtangte të moshuarit me mënyrën si e kuptonte fjalën e Perëndisë.

25 Mars
Ti je Biri i Perëndisë. Gjoni 1:49

Ndyrshe nga burrat e shkolluar dhe të ashtu-quajtur të mençur të Izraelit – Gdhendësit, Farisejtë, Avokatët e Doktorët – dishepujt e Gjon Pagëzorit dhe njerëz të tjerë me mendje të ngjashme ‘pa dredha,’ e njohën Shpëtimtarin e Izraelit menjëherë. Ne nuk e dimë se ç’po bënte Natanieli poshtë pemës së fikut përpara se ta thërriste Filipi, por kur Jezusi iu referua ndodhisë, Natanielit i bëri aq shumë përshtypje saqë e kuptoi menjëherë që ishte duke iu drejtuar Birit të Perëndisë … Mbreti i Izraelit.

26 Mars
E pashë dhe garantoj që ky është Biri i Perëndisë. Gjoni 1:34

Dëshmia publike e Gjon Pagëzorit, i cili ishte udhëzuar drejtpërdrejt nga Perëndia, është e çmuar për të përcaktuar vërtetësinë e prindërisë së Krishtit. Gjonit i ishte thënë se për çfarë duhej t’i hapte sytë, ndërkohë që zhyste ata që pendoheshin në ujrat e Lumit Jordan. Ai pa shenjën e Shpirtit të Shenjtë që zbriste si një pëllumb nga qielli dhe dëgjoi zërin që shpalli qenien e Jezusit bir i tij. Ai e dinte që ata që i kishte udhëzuar vetë tani do të ndiqnin Jezusin dhe se puna e tij për Perëndinë po i afrohej përmbushjes.

27 Mars
Jezusi nga Nazareti erdhi te ju në emër të Zotit; këtë mund ta dini duke marrë parasysh veprat e mrekullueshme që Perëndia bëri nëpërmjet tij.

Veprat 2:22

Megjithëse ai nuk kishte nevojë për dëshminë e njerëzve, ishte e rëndësishme që duhet të kishte prova për lidhjen e Jezusit me Perëndinë. Kjo u regjistrua në fjalët e Simonit, Anës dhe barinjve në lindjen e Krishtit, dhe pastaj prej Gjon Pagëzorit, apostujve si dhe nga kundërshtari i tij aktiv, Sauli nga Tarsi. Perëndia dha fuqinë me të cilën Jezusi bëri mrekullitë, ndaj Ai është dëshmitari më i rëndësishëm i birit të tij. Çifutëve iu tha të besonin shenjat e mrekullitë edhe nëse nuk mund të pranonin dëshmitë e njerëzve.

28 Mars
Ka vetëm një ndërmjetës midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Jezu Krisht.

1 Timoteut 2:5

Jezusi ishte vërtet një njeri, ashtu si ne në çdo gjë, megjithatë pa mëkate në karakter. Ishte e nevojshme që ai të përjetonte dobësitë tona në mënyrë që të mund t’i kuptonte plotësisht dhe përmes shembullit të tij të përkryer, të na ndihmonte: madje më shumë se kaq, të ndërmjetësonte për ne, tek Perëndia.

Mosheu ndërmjetësoi për fëmijët e Izraelit shumë herë në shkretëtirë kur ata nuk arritën të zbatonin Ligjin e Mosheut. Jezusi na la një ligj të ri shpirtëror dhe vepron si ndërmjetësues për të dëgjuar lutjet tona në Qiell.

29 Mars
Me anë të këtij njeriu ju ofrohet ndjesa e mëkateve. Veprat 13:38

Pali me të drejtë iu referua Jezusit si njeri, jo si një perëndi. Në shkrimet e shenjta demonstrohet me kujdes që Mesia, Shpëtimtari ynë, është biri i Adamit, i Avrahamit dhe i Davidit. Përmes gjenealogjisë së nënës së tij, ai ishte në vijën e fronit të Izraelit, përmes Natanit, birit të Davidit. Gjenealogjia e Jozefit shtrihet pas deri tek Sholomo, një tjetër bir i Mbretit David.

Ligji i Mosheut u hoq sepse nuk mund të zbatohej gjatë shpërndarjes që do të ndodhte tek çifutët … dhe ishte e pamundur që gjaku i kafshëve të flijuara të largonte mëkatet e njeriut. Sipas ligjit të ri shpirtëror të Krishtit, gjaku i tij kishte efekt për largimin e papërsosurisë së atyre që pagëzoheshin vërtet në emrin e tij.

30 Mars
Jezusi duhet të bëhej i ngjashëm me vëllezërit e tij në çdo drejtim.

Hebrenjve 2:17

Krishti vuajti shumë gjatë jetës së tij në tokë. Ai duroi agoninë mendore dhe fizike në mënyrë të vullnetshme për shkak të gëzimit të madh që kishte përpara. Jezusi i përjetoi të gjitha tundimet e zakonshme për njeriun dhe në këtë mënyrë është i aftë t’i kuptojë ata që kërkojnë ndihmë në kohëra të vështira.

Premtohet që ai do të sundojë të gjitha vendet nga Jeruzalemi, jo vetëm si Mbret i të gjithë njerëzimit por edhe si prift i lartë. Përvoja e tij si një njeri i vdekshëm në rrethana të përulura, do ta ndihmojë atë ta administrojë drejtësinë me mëshirë.

31 Mars
Ai u vu në provë në çdo drejtim ashtu si ne, e megjithatë mbeti pa mëkat.

Hebrenjve 4:15

Pas pagëzimit të tij dhe deklaratës publike të Perëndisë se ai ishte biri i Tij, Jezusi jetoi në shkretëtirë dhe u tundua për pesë deri në gjashtë javë. Kur ishte vërtet i uritur, pasi kishte agjëruar për dyzetë ditë, u sugjerua që ai duhet të përdorte fuqinë shpirtërore për të plotësuar nevojat e tij të natyrshme dhe të bënte bukë. Ai i njihte shkrimet e shenjta shumë mirë dhe mund të provonte që kjo do të qe e gabuar. As nuk do të hidhej nga maja e tempullit megjithëse e dinte që jeta e tij do të ruhej derisa t’i kishte ardhur plotësisht koha. Ndërsa në lidhje me shndërrimin e vetes së tij në mbret në këmbim të bindjes ndaj një personi tjetër përveç Perëndisë … edhe ky sugjerim u refuzua duke cituar fjalën e Perëndisë.


previous page table of contents next page