Shkurt
1 Shkurt
Fryma e Tij i përfshiu qiejt. Ijovi 26:13
Në epokën e “dritës artificiale” shumë njerëz nuk e shohin apo ndjejnë madhështinë e qiellit të natës. Në kohërat e lashta, për shkak të ndikimit të diellit dhe hënës mbi jetët e tyre, njerëzit i adhuronin ato … duke thurur rrëfenja mbi konstelacionet dhe planetet. Brezi i modern i ditëve të sotme mendon se di më shumë, por megjithatë pak e vret mendjen të kuptojë Zotin që planifikoi lëvizjet e yjeve dhe i ndërtoi ato për të ndikuar mbi tokën. Perëndia i krijoi diellin, hënën dhe yjet me frymën e Tij, dhe me të Ai mbështet lëvizjet e tyre nëpër qiej.
2 Shkurt
Qielli u krijua me fjalën e Perëndisë.
Psalmi 33:6
Psalmisti sugjeron që meqenëse qiejt ishin bërë prej fjalës së Zotit, e gjithë toka duhet ta kishte frikë dhe të trembej prej Tij. Kjo është e arsyeshme. Nëse ndonjë sundimtar tokësor do të kishte një fuqi të tillë, atij do t’i trembej e gjithë bota! Perëndia e vëzhgon të gjithë njerëzimin dhe i përgjigjet atyre që e kërkojnë Atë. Kjo është e kuptueshme. Në të njëjtin Psalm përmendet sidomos që Perëndia i vlerëson ata që i tremben Atij dhe shpresojnë për shpëtim, duke i mbajtur ata larg rrezikut dhe duke i ushqyer ata me ushqim që u përshtatet atyre.
3 Shkurt
Me fuqinë Tënde madhështore ke krijuar qiellin dhe tokën.
Jirmija 32:17
Asgjë nuk është e vështirë për Perëndinë. Jo vetëm që Ai kontrollon të gjitha lëvizjet në univers, por gjithashtu vëren individët e popujt. Perëndia i premtoi Avrahamit se Ai do t’i bënte fëmijët e tij që të ishin të shumtë si rëra në det. Brenda pak brezash ata ishin një popull në Egjipt. Perëndia e ndihmoi Izraelin të përballonte fuqinë e organizuar dhe të armatosur të kombit më të madh të botës në atë kohë … Egjiptit. Izraeli gjithashtu mundi kombet e fuqishme të Kanaanit dhe në fund sundoi nga nili në Eufrate.
4 Shkurt
Në fillim … Shpirti i Perëndisë lëvizte mbi ujra.
Zanafilla 1:2
Mosheu, tek Zanafilla, u përdor nga Perëndia për të shpjeguar krijimin me fjalë të thjeshta për të gjitha brezat. Duke u ftohur, bota u mbulua me ujë. Avulli i trashë formoi një pengesë të padepërtueshme nga drita përreth globit. Perëndia, përmes fuqisë së shpirtit të tij, i ngriti retë prej ujrave, duke lejuar të ndriçonte dielli. Duke parë nga toka, mund të shiheshin dritat e qiellit tek shfaqeshin për herë të parë. Ujrat u mblodhën së bashku dhe formuan “detrat” dhe u shfaq toka e thatë. Perëndia lejoi barin, bimët e pemët që të rriteshin mbi tokë si dhe bimët e egra si ushqim nëpër detra. E tillë ishte përgatitja e Tij për peshqit, kafshët, zogjtë dhe jetën njerëzore që do të popullonte botën e mrekullueshme që Ai kishte krijuar.
5 Shkurt
Nëpërmjet Tij ne jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë.
Veprat 17:28
Kur njeriu i parë ishte formuar nga pluhuri i dheut dhe ishte quajtur Adam, që do të thotë “i dheut,” engjëjt i dhanë frymën ose frymën e jetës. Që nga ai çast, njeriu u bë një shpirt i gjallë apo një qenie. Kafshëve gjithashtu në Bibël u referohet si shpirtra të gjallë, në të cilat gjithashtu ndodhet fryma e jetës. Nuk është fort për t’u çuditur që njerëzit e ndjeshëm në shumë breza e kanë ndjerë afërsinë e tyre me Perëndinë. Secili prej nesh ka nderin e kësaj lidhjeje me të Përjetshmin. Ose mund ta përdorim, ose mund ta injorojmë; por “Njeriu që është nderuar dhe nuk e kupton, është si bishat që vdesin.”
6 Shkurt
Nëse Ai do të mbante për Veten shpirtin e Tij dhe Frymën e Tij, atëherë do të vdisnin të gjithë qeniet e gjalla dhe njeriu do të kthehej prapë në pluhur.
Ijovi 34:14-15
Ishte një kohë kur Perëndia e pa marrëzinë e gjithë njerëzimit në ditët e Noes dhe vendosi t’ua rimerrte forcën e Tij jetëdhënëse të gjitha krijesave të gjalla në faqe të dheut. Jezusi dhe Pali iu referuan kësaj katastrofe kur vetëm tetë shpirtra mbijetuan prej të shumtëve që popullonin tokën. Ne kemi një premtim që Perëndia nuk do ta shkatërrojë kurrë më botën me ujrat e një përmbytjeje … por Perëndia e vëzhgon blasfeminë dhe injorancën e njerëzimit dhe, atëhere kur duhet, do të drejtojë ndëshkimin.
7 Shkurt
Ti Perëndi më sheh. Zanafilla 16:13
Hagara ishte shërbëtorja e së shoqes së Avramit dhe kishte ikur nga pronarja e saj. Megjithë sjelljen e saj të gabuar ndaj Saraisë, Perëndia e kishte vërejtur vuajtjen e saj. Hagarës iu bënë premtime të mëdha për popuj që ende nuk kishin lindur, që do të rridhnin prej saj për shkak të marrëdhënies së saj me Avramin, mikun e Perëndisë. Cilido është në prani të Perëndisë, edhe nëse e kupton apo jo. Qoftë në dritë, qoftë në errësirë, Perëndia sheh çdo gjë.
8 Shkurt
Nuk ka ndonjë krijesë që t’i fshihet shikimit të Tij.
Hebrenjve 4:13
Perëndia i di vështirësitë që dalin çdo ditë tek çdo njeri që i druhet Perëndisë. Ai vëzhgon çdo përpjekje, çdo skses, çdo hapje apo mbyllje të mendjes dhe çdo dështim për zbatimin e vullnetit të Tij. Perëndia ka deklaruar që Ai ka qëllimin të zgjedhë nga midis nesh një popull për emrin e Tij … nuk është për t’u çuditur që Ai vëzhgon ecjen tonë të përditshme dhe ngazëllehet kur sheh që interesi në rrugën e Tij qëndron.
9 Shkurt
Ti i di nga larg mendimet e mia … Para se të vijë ndonjë fjalë në gjuhën time, Ti, o Zot, tashmë e ke dëgjuar.
Psalmi 139:2,4
Në këtë epokë pajisjesh elektronike, duhet të jetë më e lehtë për ne që të kuptojmë aftësinë e Perëndisë për të parë dhe dëgjuar, në dritë dhe në errësirë, nga çdo largësi, kudo. Krijuesi i kupton proceset e të menduarit të çdo truri.
Shkenca moderne ka mësuar primitivisht të vëzhgojë të folurit dhe të parit, por Perëndia eksploron këndet e fshehura të mendjes. Thelbi i çdo jete është një zgjatim i të Tijës. Edhe mendimet dhe qëllimet më të thella të zemrës janë të njohura për Perëndinë, duam ne apo jo t’i mbajmë ato sekret.
10 Shkurt
Ju engjëjt e Tij, lavdërojeni Zotin, ju që jeni mbushur me forcën e Tij, që zbatoni urdhërat e Tij, që i vini veshin zërit të fjalës së Tij.
Psalmi 103:20
Engjëjt janë qenie të lavdishme që përdoren nga Zoti Perëndi me misione të ndryshme për njerëzit e përzgjedhur në këtë tokë. Idetë e paramenduara mbi pamjen e tyre duhen lënë mënjanë … shpesh ngatërroheshin me njerëzit. Prania e tyre hera-herës shoqërohej nga lavdia apo shkëlqimi dhe zotëronin pushtete të panjohura nga njeriu. Engjëjt janë përfaqësuesit, shërbëtorët dhe lajmëtarët e Perëndisë; secili mban fjalën e Tij tërthorazi; të fuqishëm larg mundësisë sonë për të kuptuar. Në Bibël nuk ka asgjë që të mbështesë ekzistencën e engjëjve të liq.
11 Shkurt
Engjëlli Gavriel u dërgua prej Perëndisë në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret.
Luka 1:26
Perëndia dërgoi lajmin e mrekullueshëm të arritjes së afërt të Mesias përmes përfaqësuesit të Tij Gavrielit. Ky ishte mesazhi më i madh dhe i rëndësishëm që i ishte dërguar ndonjëherë njerëzimit dhe iu përcoll personalisht një gruaje. Maria e pranoi nderin me përunjësi, pa protestë apo hezitim … duke pranuar pozitën e një shërbëtoreje, kur u informua se do të ishte e ëma e birit të vetë Perëndisë. Ajo e njohur praninë e Perëndisë të manifestuar në fuqinë e Engjëllit. Tridhjetekatër vjet më vonë lajmi i ringjalljes, po kështu, iu besua një Marie tjetër, e cila gjithashtu besonte.
12 Shkurt
Iu afrua engjëlli i Zotit, rreth tyre ndriti drita e pranisë së Zotit.
Luka 2:9
Pak prej atyre të privilegjuarve për të marrë vizita engjëllore ishin të kulturuar apo të shkolluar. Perëndia zgjodhi burra e gra të përulur, mendjet e të cilëve ishin të paprekura prej keqkonceptimeve apo traditave. E rëndësishmja ishte mesazhi, jo bartësi i tij. Barinjtë besuan dhe u ngazëllyen prej lajmit të engjëjve dhe me kënaqësi zbatuan udhëzimet e tij. Objekti i manifestimit ishte t’i jepeshin lëvdata dhe lavdi Krijuesit të qiellit dhe tokës dhe një mesazh paqeje dhe vullneti të mirë të gjithë njerëzimit. Lëvdatat për Perëndinë janë një prej elementëve më të rëndësishëm të adhurimit.
13 Shkurt
A nuk janë engjëjt asgjë tjetër veç shpirtrave shërbyes, dërguar për të ndihmuar ata që do të jenë trashëgimtarë të shpëtimit? Hebrenjve 1:14
Engjëjt janë trupa të pavdekshëm të shpirtit. Jezusi ishte bërë i vdekshëm, dhe pak më poshtë se ata, me qëllim që përmes vuajtjes së vdekjes, duke iu bindur vullnetit të Perëndisë, të shijonte vdekjen për çdo njeri. Pas ringjalljes së tij, Jezusi u ngjit mbi engjëjt për të marr pozitën e tij të vërtetë si biri i Perëndisë. Engjëjt kanë përgjegjësinë të kontrollojnë sundimin e tanishëm … megjithëse tani i nënshtrohen Krishtit që do të sundojë botën në mbretërinë e Perëndisë.
14 Shkurt
Disa i kanë pritur engjëjt pa e ditur.
Hebrenjve 13:2
Mikpritja, veçanërisht për të panjohurit, mbështetet në të gjithë Biblën. Avrahami pa tri burra nga dera e tendës së tij dhe vrapoi t’i detyronte të freskoheshin dhe të pushonin, ndërkohë që Sara u bëri për të ngrënë. Ata e pranuan mikpritjen e Avrahamit dhe i thanë Sarës që megjithëse ishte nëntëdhjetë vjeç, do të bartte birin që Perëndia i kish premtuar Avrahamit shumë vite më parë. Është interesante të vërehet që ata i ngatërruan për njerëz. Në pamje kishte pak ndryshim … meqenëse njeriu ishte krijuar sipas shëmbëlltyrës së “Elohim” (engjëjve) siç përshkruhet tek Zanafilla.
15 Shkurt
Iu shfaq engjëlli i Zotit … Manoah tha “Ti je njeriu” … sepse Manoah nuk e dinte që ai ishte engjëlli i Zotit. Gjyqtarëve 13:3-11-16-20-21
Kur izraelitët e kishin harruar përgjegjësinë e tyre përpara Perëndisë, i cili i kishte sjellë nga Egjipti dhe mrekullisht e kish mbrojtur popullin e tyre për dyzetë vjet në shkretëtirë, Ai dërgoi engjëj për t’iu përgjigjur lutjeve të tyre për liri të mëtejshme. Njëri iu shfaq gruas së Manoahut, duke i thënë që ajo, e cila nuk lindte, do të lindte një djalë, Shimshoni, i cili do të fillonte ta çlironte Izraelin prej filistinëve. Engjëlli u ngatërrua për njeri, por iu zhduk shikimit të tyre në flakën e zjarrit. Psalm-shkruesi shkroi vërtet “Që i bën engjëjt e Tij shpirtra, shërbëtorët e tij një zjarr me flakë.”
16 Shkurt
Engjëlli i Zotit zbriti nga qielli …një i ri … veshur me një petk të gjatë të bardhë.
Mateu 28:2 Marku 16:5
Dy dishepuj përshkruan të njëjtën ndodhi, por shkruan në mënyra të ndryshme për engjëllin që rrotulloi shkëmbin e madh nga dera varrit. Mateu vërejti që fytyra i ndriti si vetëtima dhe veshjen e kish të bardhë si bora. Rojet që kishin vënë kryepriftërinjtë ngrinë, të palëvizur dhe u shkundën nga frika … grave iu dha siguri me mirësi dhe një mesazh për dishepujt. Marku, duke qenë edhe vetë i ri, e përshkroi engjëllin si “Një i ri me petk të gjatë të bardhë.”
17 Shkurt
Një njeri qendroi para meje me veshje që shkëlqenin.
Veprat 10:3 dhe 30
Kornelit, kapitenit romak, iu shfaq një engjëll, por kur ky ia përshkroi ndodhinë Pjetrit më vonë, tha “Një njeri qëndroi përpara meje.” Shumica e atyre që kanë përjetuar vizita të engjëjve bëjnë komente mbi karakteristikat e engjëjve, që bartin lavdinë e Perëndisë, dhe mbi veshjen e tyre e cila ka një bardhësi brilante dhe shkëlqen. Kur është e nevojshme lavdia, apo shkëlqimi, mund të hiqet.
18 Shkurt
Do të dërgoj një engjëll përpara jush, … Emri im është në të. Dalja 23:20-21
Perëndia i premtoi Mosheut se engjëlli i Tij do të dilte përpara izraelitëve për t’i mbajtur në udhë dhe për t’i sjellë në një vend që Ai kishte përgatitur. Prania engjëllore ishte zakonisht e padukshme por “në asnjë rast” iu tha “nuk duhej neglizhuar.” Mosheu u udhëzua “të kish kujdes prej tij” dhe u paralajmërua “të mos e provokonte,” sepse në të ishte emri i Perëndisë. Engjëjt janë një zgjatim i pranisë së Tij.
Engjëjt nuk duhen ngatërruar me çerubinët dhe serafimët që janë krijesa enigmatike të vizionit profetik.
19 Shkurt
Zoti mori pluhur nga toka dhe me të bëri një njeri, i futi frymën jetëdhënëse; dhe njeriu filloi të jetonte. Zanafilla 2:7
Fjala hebreje e përkthyer Adam do të thotë thjesht ‘i dheut’ ose ‘i ngurtë.’ Ai ishte njeriu i parë, i modeluar nga balta në shëmbëlltyrën e elohimit. Adami u bë me jetë, ose krijesë, kur Perëndia bëri t’i hynte ajri në hundë. Në fjalën origjinale hebreje, grua do të thotë thjesht ‘dalë nga burri.’ Ajo u formua nga një kockë e marrë prej ijes së Adamit kur atë ‘e kishin vënë në gjumë.’ Metoda e krijimit formoi një marrëdhënie dhe lidhje të veçantë mes burrit dhe gruas së tij.
20 Shkurt
Vetëm Perëndia ka pavdekshmërinë, banon në dritën e paafrueshme; asnjeri nuk e ka parë dhe nuk mund ta shohë. 1 Timoteut 6:16
Bibla na tregon thjesht që vetëm Perëndia ka pavdekshmërinë e vërtetë dhe se njeriu është i vdekshëm, i nënshtrohet vdekjes. Në Versionin e Autorizuar, fjala ‘elohim’ përkthehet në mënyra të ndryshme, si ‘Perëndi,” ‘perëndi’ (në shumës), ose ‘engjëj.’
Asnjë njeri nuk e ka parë, as mund ta shohë, Zotin Perëndi (Yahweh Elohim). Njerëzit janë privilegjuar të shohin elohim apo engjëjt që veprojnë në emër të Perëndisë, në raste të ndryshme nëpër historinë e botës.
21 Shkurt
Si mund të jetë njeriu i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? Ijovi 4:17
Priftërinjtë e kombeve pagane që rrethonin Izraelin thonin që një pjesë e çdo njeriu është e pavdekshme. Profetët e Perëndisë shpallnin në mënyrë të përsëritur që vetëm Perëndia është i pavdekshëm dhe se njeriu është i vdekshëm.
Për Izraelin ishte më e lehtë të besonte dhe adhuronte një imazh sesa një Perëndi të padukshëm. Fabulat pagane mbi jetën e përtejme në një botë matanë qiejve gjithashtu e joshnin Izraelin më shumë se besimi në të vërtetën e thjeshtë që mësohej prej profetëve.
22 Shkurt
Pluhur ishe dhe në pluhur do të kthehesh. Zanafilla 3:19
Gjarpri në kopshtiin e Edenit ishte ati i gënjeshtrës. I qe dhënë aftësia për të folur ashtu si gomarit që mbante profetin Balaam. Gjarpri ishte më i zgjuar se sa të gjitha kafshët e fushës. Ai ngacmoi ambicien dhe krenarinë e gruas për ta detyruar atë të hante prej pemës së dijes. Ajo e besoi gënjeshtrën se do të ishte e pavdekshme dhe kre aktin e parë të mosbindjes. Eva ia dha edhe Adamit frutin, që edhe ai të gabonte. Të dy iu përkushtuan natyrës së vdekshme që gjarpri kishte thënë se nuk do t’i prekte. Perëndia ofron falje dhe jetë të përtejme cilitdo nga pasardhësit e tyre që e afrojnë veten me ofertën e vullnetit të lirë të Jezu Krishtit, i cili, ndryshe nga bijtë e Adamit, meritonte pavdekshmërinë. Vdekja e atij njeriu të përkryer i dha gjarprit goditjen e vdekjes.
23 Shkurt
A ka mundësi që dikush të jetojë pa e gjetur vdekjen? Që ndonjëri t’u shpëtojë kthetrave të botës së të vdekurve? Psalmi 89:48
E vetmja shpresë për shpëtim për një izraelit ishte në bindjen e plotë, për gjithë jetën ndaj ligjit të Perëndisë. Vetëm një person që ka jetuar mund të pyesë me vetëbesim “Cili prej jush më bind për mëkat?” pa pasur frikë për një përgjigje pozitive. Bindja e njeriut plotësisht të drejtë, Jezu Krishtit, edhe në vdekje, vërtetoi nderin e Perëndisë që ishte shkelur në Eden. Në mënyrë të tillë qe hapur rruga, përmes mirësisë, që të tjerët të lidheshin me shpërblimin e Krishtit. Asnjë ‘NJERI’ nuk mund ta çlirojë shpirtin (trupin) e tij nga fuqia e varrit … ndërsa Perëndia mundet, ashtu siç bëri me Jezusin, birin e Tij të shtrenjtë.
24 Shkurt
Ai që mëkaton, duhet të vdesë. Jehezkel 18:4
Nëse njeriu ka një shpirt të pavdekshëm, një gjë e tillë sigurisht që do të përmendej në Bibël. Shpirti përmendet në Bibël me qindra herë, por askund nuk sugjerohet se është i pavdekshëm. Përkundrazi, zakonisht referencat për shpirtin e paraqesin atë si të nënshtrueshëm ndaj vdekjes. Megjithatë, qysh nga koha e Edenit, gënjeshtra e gjarprit është vazhduar … “Sigurisht që nuk do të vdesësh” … Shkrimet e shenjta këmbëngulin që të gjithë vdesin pa pasur fuqi ta çlirojnë trupin e tyre nga varri. Megjithatë, Jezusi, kur të kthehet në tokë, do të ketë fuqinë të ngrejë ata që përpiqen t’i ndjekin urdhëresat e tij.
25 Shkurt
Vdekjen nuk ua kurseu, por të gjithë i lëshoi në prehrin e murtajës. Psalmi 78:50
Besimi pagan se pas vdekjes, një pjesë e padukshme e secilit trup njerëzor ngrihet për t’u lumturuar në parajsë, apo bie në rajonet e ferrit të tokës, kundërshtohet qartë në gjithë Biblën. Citimi ynë është nga një psalm që tregon se si Perëndia nuk i kurseu egjiptianët, të cilët e kishin shtypur egërsisht popullin e Tij gjatë ditëve të Mosheut … shpirtrat e tyre vdiqën. Kur izraelitët pushtuan tokat e Kënanit, shpirtrat e të gjithë burrave, grave dhe fëmijëve gjithashtu mbaruan sepse sjelljet e tyre përpara Perëndisë ishin shumë të liga.
26 Shkurt
Të gjallët e dinë që do të vdesin, por të vdekurit nuk dinë asgjë. Koheleti 9:5
Ashtu siç jemi të pandërgjegjshëm kur flemë, po kështu jemi edhe kur kemi vdekur. Mësimi i madh kristian është që, ashtu si Jezusi ne do të ringjallemi nga gjumi ynë i vdekjes, nëse i zbatojmë urdhëresat e tij gjatë jetëve tona. Ai i ka premtuar të bindurve se ata do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen me bollëkun e paqes. Një gjë e tillë do të ndodhë në gatishmërinë për të cilën flitet në lutjen e Zotit … “U bëftë vullneti Yt si në qiell ashtu edhe në tokë.” Dishepujt e pyetën Jezusin se cila do të ishte shenja e kthimit të tij. Ai i drejtoi nga profecia e Danielit dhe i tha të vëzhgonin.
27 Shkurt
Kur të vdes nuk mund të të lavdëroj më; atje në varr, kush mund të të falënderojë Ty? Psalmi 6:5
Njeriu nuk ka kurrfarë ekzistence kur vdes. Ai thjesht është i vdekur dhe nuk di më shumë sesa sikur të mos ish lindur kurrë. Sa në kundërshtim është kjo me besimet popullore! Në këtë vend të ashtu-quajtur kristian na mësohet që ne shkojmë në Qiell për të qenë me Perëndinë kur të vdesim. Një gjë e tillë është një besim pagan i adoptuar ashtu si Pema e Krishtlindjeve, Druri Yule (i Krishtlindjeve), asheja, veshtulla, veza e Pashkës, Buka e Nxehtë e Kryqit dhe lagia e foshnjeve prej popujve primitivë që u sollën me forcë në kishën e hershme ‘kristiane.’ Ata sollën me vete festat, legjendat e heronjtë të cilave iu dhanë emra kristianë. Perëndia e ka dhënë shumë qartë në gjithë Biblën mendimin e Tij për njerëzit që fusin rite të praktikuara në shërbime të perëndive të tjera. Ai është një Perëndi xheloz.
28 Shkurt
Në botën e të vdekurve nuk ka as veprim, as mendim, as dituri, as urtësi – atje po shkon ti. Koheleti 9:10
Kisha e Selanikut ishte e shqetësuar për të dashurit e tyre që kishin vdekur dhe i shkruan Palit për këshillë. Në kapitujt e katërt dhe të pestë të letrës së tij të parë drejtuar atyre, ai ua qetëson mendjen.
“Nëse besojmë që Jezusi vdiq dhe u ringjall përsëri,” tha ai “atëherePerëndia patjetër do t’i sjellë bashkë me Jezusiin ata që vdiqën duke vdekur në të.” Pali vazhdon duke shpjeguar që edhe kur të kthehet Jezusi, “të parët do të ringjallen ata që vdiqën duke besuar tek Krishti.” Fakti që nuk ka ekzistencë për njeriun pas vdekjes deri në kthimin e Jezusit është qetësues, sepse çasti i parë i ndërgjegjshëm i njeriut pas vdekjes do të jetë këtu në tokë në praninë e Krishtit.