MËSIMI 7 - Premtimet bërë Davidit

Zoti i premtoi Abrahamit se në të, dhe farën e tij, (pasardhësit) të gjitha familjet e tokës do të bekoheshin. Mësimi 5 tregoi se i vetmi pasardhës që do të sillte bekime në tokë ishte Jezusi. Kjo është tema e mësimeve të shpjeguara qartë në Dhjatën e Re (Galatasve 3 v 16).

Abrahami është dhënë si një shembull besimi, dhe ne na është thënë se, nëse duam të tregojmë besimin tonë duhet të jetojmë jetët tona ashtu si Abrahami, duke besuar dhe duke ju bindur dëshirës së Zotit.

Populli i Izraelit që rrodhi nga Abrahami, ishin skllevër në Egjipt. Ata u udhëhoqën jashtë nga Egjipti nga Moisiu, pasi dhjetë plagët e tmerrshme i detyruan Egjiptianët të pranonin se ka një Perëndi në qiell që është në kontroll të gjithçkaje në botë. Libri i Eksodit (emri nënkupton 'largim') na tregon për këto ngjarje.

Së fundi, populli i Izraelit u vendos në tokën e Kanaanit ku kishte jetuar Abrahami. Mbreti i tyre i parë ishte Sauli, i dyti ishte Davidi i cili shkroi shumë nga Psalmet.

PREMTIMI BËRË DAVIDIT

Në Psalme Davidi thotë se Zoti i ka bërë atij një premtim. "Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua" (Psalmi 132 v 11).

Davidi, kur mbretëria e tij u themelua dhe populli ishte në paqe, dëshironte të ndërtonte një tempull ose një shtëpi adhurimi për Zotin. Profeti Nathan u dërgua te Davidi për t'i thënë se, megjithëse Zoti nuk deshte që ai t'i ndërtonte një shtëpi, Zoti do të themelonte shtëpinë mbretërore të Davidit, dhe njëri nga pasardhja e tij mbretërore do të qeveriste mbi mbretërinë e tij përgjithnjë.

"Kur t'i kesh mbushur ditët e tua dhe të jesh duke pushuar bashkë me etërit e tu, unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu që do të dalin nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithnjë fronin e mbretërisë së tij. Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme për gjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë" (2 Samuelit 7 v 12-13 & 16).

Në këto vargje ka tri çështje të rëndësishme:-

  1. Premtimi nuk i referohet Solomonit, birit të Davidit, sepse Zoti tha se "froni i mbretërisë së tij" do të themelohej për gjithnjë. Megjithëse Solomoni ishte shquar për pasuritë dhe zgjuarsinë e tij, ai sigurisht që nuk mbretëroi për gjithnjë. Në vargun 14 profeti Nathan i thotë Davidit se Zoti do të ishte ati i këtij mbreti të madh, që do të vinte nga pasardhja e tij. "Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua" (2 Samuelit 7 v 14).

  2. Mbreti do të mbretërojë në fronin e Davidit (2 Samuelit 7 v 12).

  3. Zoti deklaroi se kjo me siguri do të ndodhë.

MËSIMET E PROFETËVE

Të njëjtat çështje janë theksuar kudo në Bibël. Lexoni pjesët në vazhdim nga libri i profetit Isaia, që citohet shpesh herë në kohën e Krishtlindjeve dhe shikoni të njëjtat çështje.

"Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij, për ta vendosur pa u tundur dhe ta përforcuar me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë. Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive" (Isaia 9 v 5-6).

Të njëjtat çështje janë theksuar:

  1. "Perandoria e tij ... nuk do të ketë të sosur".

  2. "Mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij".

  3. "Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive".

JEZUSI ISHTE I PREMTUARI

Nuk ka dyshim se kush do të jetë mbreti i madh nga pasardhja e Davidit.

Engjëlli Gabriel iu shfaq Maries para lindjes së Jezusit dhe i tha, "Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur" (Lluka 1 v 32-33).

Vini re përsëri të njëjtat çështje -

  1. Mbretëria do të themelohej përgjithnjë.

  2. Ai do të udhëheqë mbi fronin e Davidit.

  3. Zoti do të bëjë që kjo të ndodhë.

KËNGA E NGAZËLLIMIT TË MARIES

Më pas, në të njëjtin kapitull, Luka shkruan një këngë të mrekullueshme ngazëllimi me të cilën Maria lavdëroi Zotin për premtimet e Tij. Një tipar dallues i kësaj është se megjithëse engjëlli i tha Maries se fëmija do të lindte për të përmbushur premtimin që Zoti i bëri Davidit, Maria falenderoi Zotin për premtimin që Ai i kishte bërë Abrahamit. Ajo duhet të ketë kuptuar nga premtimi i Zotit, se të dyja këto premtime do të përmbushen në të njëjtin person.

"Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet ... ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, përgjithmonë" (Lluka 1 v 54-55).

MBRETËRIA

Nuk ka dyshim se mbretëria që Jezusi erdhi të shpallë, ishte një mbretëri e vërtetë në tokë. Ai do të jetë mbret dhe pasuesit e tij do të kenë gjithashtu vende drejtuese në mbretëri. Jezusi u tha dishepujve: "Kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më kini ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone, për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit (Mateu 19 v 20).

Ishte qëlllimi i Zotit që në fillim të mbushte tokën me lavdinë e Tij dhe me paqe:

"Por, ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, e gjithë toka do të jetë me lavdinë e Zotit" (Numrat 14 v 21).

Kjo do të ndodhë kur Jezusi të kthehet në tokë si Mbret. Një nga çështjet më kryesore që Pjetri e tha haptas në Ditën e Rrëshajëve, ishte se Jezusi ishte pasardhësi kryesor i Davidit që Zoti kishte premtuar. Pjetri i referohet psalmit që tashmë e kemi cituar, për të treguar se Davidi priste me padurim themelimin e Mbretërisë me Jezusin si mbret.

"Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri tij është ndër ne deri në ditën e sotme. Ai, pra, duke qënë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t'u ulur mbi fronin e tij" (Veprat 2 v 29-30).

Apostulli shpjegon gjithashtu se ringjallja e Jezusit, ishte një shenjë e sigurt, se premtimi që Zoti i bëri Davidit do të përmbushej. "Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur, dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!" (Veprat 2 v 32).

Pjetri thotë se Davidi e kuptoi se do të vinte koha kur i Plotfuqishmi t'i thotë Zotit Jezu Krisht; "Ulu në të djathtën time, derisa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua". Më pas apostulli thotë. "Ta dijë, pra, me siguri gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e kini kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht" (Veprat 2 v 34-36).

SIGURIA E ZOTIT

Pali, kur po u fliste njerëzve të Athinës, përmbledh shpresën e mrekullueshme që ofron Bibla,:

"Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit" (Veprat 17 v 31).

PËRMBLEDHJE

  1. Në Bibël Zoti ka zbuluar qëllimin e Tij me tokën.

  2. Zoti i tha Abrahamit dhe Davidit, se ai në të cilin do të përmbushej ky qëllim do të ishte pasardhësi tyre.

  3. Jezusi ishte njeriu i premtuar.

  4. Kur mbretëria e Zotit të themelohet, ai do të qeverisë botën me drejtësi.

  5. Kjo shpresë, bazuar në mësimet kryesore të Dhjatës së Vjetër, është bërë e qartë në mesazhin e Jezusit dhe apostujve.

PJESË NGA BIBLA PËR TË LEXUAR

Isaia 11 Veprat 2 Romakëve 4

Isaia 35 Psalmi 132 Lluka 19

MËSIMI 7: Pyetje

Nënvizo përgjigjen e drejtë për çdo pyetje dhe shkruajini ato në fletët e mesit.

  1. Cili nga pasardhësit e Abrahamit do të sjellë bekime në tokë? (a) Isaku (b) Jozefi (c) Davidi (d) Jezusi

  2. Në cilin vend ishin skllevër Izraelitët? (a) Afrikë (b) Egjipt (c) Kanaan (d) Itali

  3. Cili libër i Biblës na tregon për nxjerrjen e Izraelitëve nga skllavëria? (a) Zanafilla (b) Eksodi (c) Levitiku (d) Numrat

  4. Kush ishte mbreti i parë i Izraelit? (a) Sauli (b) Davidi (c) Solomoni (d) Samueli

  5. Çfarë dëshironte të ndërtonte Davidi për Zotin? (a) Një pallat (b) Një tempull (c) Një qytet (d) Një altar

  6. Çfarë i premtoi Zoti Davidit? (a) Pasuri të madhe (b) Jetë të gjatë dhe shëndet të mirë (c) Se froni i mbretërisë së tij do të themelohej për gjithmonë (d) Lumturi dhe begati

  7. Cili nga profetët e Izraelit tha, "Një degëz do të dalë nga trungu i Isaias"? (a) Isaia (b) Samueli (c) Abdia (d) Osea

  8. Cili ishte pasardhësi i premtuar i Davidit që do të qeverisë në fronin e tij? (a) Solomoni (b) Jezusi (c) Ezekia (d) Rehoboami

  9. Ku do të themelohet mbretëria e premtuar e Perëndisë? (a) Në tokë (b) Në qiell (c) Në zemër të qënieve njerëzore (d) Në hapësirë

  10. Cila është garancia se Zoti do të plotësojë premtimet e Tij për të cilat apostulli Pal u tregon njerëzve të Athinës? (a) Stinët (b) Lindja e Jezusit (c) Dita dhe nata (d) Ringjallja e Jezusit


previous page table of contents next page