MËSIMI 9 - Kthimi i Jezu Krishtit

Ringjallja e Jezu Krishtit është një fakt historik në të cilin varet shpresa e gjithë njerëzimit. I sigurt sa dhe fakti i ringjalljes, është dhe premtimi i Zotit se Biri i Tij do të kthehet në tokë. Pasi Krishti u ringjall nga vdekja, ai u dërgua në qiell dhe engjëjt i siguruan dishepujt se :

"Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell" (Veprat 1 v 11).

QËLLIMI I KTHIMIT TË KRISHTIT

Jezusi i mësoi dishepujt të luteshin për themelimin e mbretërisë së Perëndisë këtu në tokë:

"Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell" (Mateu 6 v 10).

Në këtë kohë do të përmbushen fjalët e Davidit:

"Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të" (Psalmi 37 v 29).

Krishti do të kthehet në tokë për të themeluar Mbretërinë e Perëndisë, duke përmbysur sistemin e sotëm të qeverisë njerëzore. Ai do të shpëtojë botën nga ligësia dhe do të mbushë tokën me lavdinë e Zotit, një zgjidhje hyjnore kjo e të gjitha problemeve të sotme.

Për këtë arsye apostulli Pal, në shekullin e parë, Pas Krishtit, inkurajonte Titin të mohonte paudhësinë dhe lakmitë e botës dhe të

"Rronte me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht" (Titit 2 v 12-13).

KUR DO TË KTHEHET KRISHTI ?

Perëndia, që në fillim, caktoi një ditë kur Krishti do të kthehet të gjykojë botën. Pali foli për këtë:

"Sepse ai (Zoti) ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjthëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit" (Veprat 17 v 31).

Krishti, në predikimin e tij bëri të qartë se, megjithëse plani i Zotit u përmbush dhe ngjarjet do të ndiqnin një radhë të caktuar as ai nuk e dinte kohën e saktë të kthimit të tij. Tek Marku kapitulli 13, Krishti u tha trashëgimtarëve për kthimin e tij dhe u dha atyre disa shenja për ngjarjet që do të paraprijnë atë, ku midis të tjerave thekson:

"Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re , me pushtet të madh e me lavdi" (Marku 13 v 26).

"Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati" (Marku 13 v 32).

KRISHTI DO TË KTHEHET PAPRITUR SI NJË VJEDHËS

Shumë njerëz sot e shohin qesharake idenë e kthimit të Krishtit në tokë, duke mos e konsideruar seriozisht pikëpamjen e shfaqjes së përkohshme të egzistencës sonë. Apostulli Pjetër paralajmëroi se njerëzit do të mendojnë kështu:

"Se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: 'Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit" (2 Pjetër 3 v 3-4).

Kështu, ne na është dhënë siguria se Zoti nuk është i ngadalshëm në përmbushjen e premtimeve të tij, por se kjo ngjarje e shkatërrimit të botës do të ndodhë në kohën që Ai ka caktuar:

"Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën" (2 Pjetër 3 v 10).

Lexo 10 rreshtat e parë të 2 Pjetër kapitulli 3 për të kuptuar argumentin e plotë të parashtruar nga apostujt.

Ashtu si Krishti theksoi, ora e saktë e ardhjes së tij nuk dihet nga askush përveç Zotit dhe nuk mund të zbulohet as nga shkrimet.

"Sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni" (Mateu 24 v 44).

Kjo na mëson se besimi u kërkohet besimtarëve në kthimin e Krishtit, sepse vetëm Zoti e di ditën e veçantë kur kjo do të ndodhë. Ata që nuk e presin këtë ngjarje, shfaqja e tij do të jetë e papritur, ashtu si ardhja e vjedhësit natën.

NUK KA SHENJA SE KUR DO TË KTHEHET KRISHTI ?

Dishepujt ishin të interesuar për këtë dhe pyetën Krishtin mënjanë, ndërsa ishin ulur në Malin e Ullinjve, "Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?" (Mateu 24 v 3).

Përgjigja e Krishtit për këtë pyetje, si dhe shumë pjesë të tjera të profecisë të Biblës, tregojnë qartë kohën e mundshme kur ky kthim do të përmbushet. Këto shenja të kohëve janë dhënë për të inkurajuar pasuesit e Krishtit, me qëllim që ata të jenë gati.

SHENJAT E KTHIMIT TË KRISHTIT

  1. Shenja e Noeut

Në përgjigjen e tij, Jezusi u përmend dishepujve përshkrimin që bën Bibla të ditëve përpara përmbytjes, si një situatë e ngjashme që do të shihet në ditët para kthimit të tij:

"Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin dhe martoheshin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut" (Mateu 24 v 37-39).

Si bazë për kohën e Noeut, lexo Zanafilla kapitulli 6, ku tregohet qartë se pse Zoti shkatërroi njerëzimin dhe shpëtoi vetëm tetë njerëz. Një ligësi e tillë dukej qartë në mendimet dhe veprat e njeriut, dhe Zoti e pa se "Toka ishte e korruptuar para Perëndisë dhe plot e përplot me dhunë" (Zanafilla 6 v 11).

Shtypi, interneti, radioja dhe televizioni pasqyrojnë çdo ditë ngjashmërinë midis botës së dhunshme e të pa fe të Noeut dhe botës së pafe të kohës sonë. Ato pasqyrojnë në shumë raste njerëzit e përshkruar nga apostulli Pal, në ditët e fundit para kthimit të Krishtit:

"Në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s'e duan të mirën, tradhëtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës (2 Timoteut 3 v 1-5) [BRA]).

Një shqyrtim i kujdesshëm i çdo fjale të profecisë të Biblës, do të tregojë se këto përshkrime i përshtaten kohës sonë më shumë se përpara.

  1. Shenja e Judenjve

Jezusi tha gjithashtu një shëmbëlltyrë të shkurtër, si një shenjë tjetër, për t'u treguar dishepujve se kur do të kthehej;

"Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër" (Mateu 24 v 32).

Profeti Jeremia na jep çelësin për të identifikuar pemën e fikut dhe përdor të njëjtin simbol në kapitullin 24 kur i referohet njerëzve të Izraelit (lexo gjithashtu Joeli kapitulli 1 v 7). Ne duhet të kuptojmë simbolizmin e pemës së fikut, Izraelin, që "njomësohen dhe nxjerrin gjethet".

Kjo i referohet mbledhjes së Judenjve nga të gjitha anët e tokës ku janë shpërndarë nga Zoti (Luka 21 v 24; Ligji i Përtërirë 28 v 25, 32-34, 37, 64-66). Shumë njerëz sot, po u predikojnë Judenjve në Izrael "duke nxjerrë gjethet" ndërsa ata vazhdojnë të ndërtojnë vendin e tyre që me themelimin e tij si një Shtet në 1948 dhe rimarrjen e Jeruzalemit në 1967.

Të njëjtat ngjarje u profetizuan nga Ezekieli në 14 vargjet e para të kapitullit 37. Në atë kohë populli Jude ngjante me një koleksion kockash. Profeti pa një kodër me kocka të thata:

"Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: 'Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur" (Ezekiel 37 v 11).

Më pas kockat u mblodhën dhe u mbuluan me mish; fryma u vendos në Izrael dhe ata jetuan.

"Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t'ju çoj në tokën tuaj"

"Do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t'i mbledh nga çdo anë dhe do t'i çoj përsëri në vendin e tyre" (Ezekiel 37 v 14 & 21).

Kështu, në mënyrë figurative, kuptojmë se Izraeli u soll nga Zoti në tokën e premtuar, një komb i ri që lëshon filiza ashtu si pema lëshon sythat. Çfarë ndodhi më pas?

"Do të lidh me ta një besëlidhje paqeje... dhe do të vë shenjtëroren time në mes tyre përjetë" (Ezekiel 37 v 26).

Shenja e Judenjve paraprin themelimin e mbretërisë së Zotit.

Pikëpamja më ngacmuese e kësaj profecie është se ne mund të kuptojmë dorën e Zotit në këtë vepër, ku Judenjtë u kthyhen dhe ndërtuan tokën e tyre, dhe ne jemi paralajmëruar se, "Kështu edhe ju , kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera" (Mateu 24 v 33).

PROFECIA E JEZUSIT NË LIDHJE ME IZRAELIN

Jezusi bëri një parashikim shumë të qartë, si për të ardhmen e popullit të tij ashtu dhe për ardhjen e tij. Udhëheqësit e kombit nuk mundën ta kuptonin dorën e Zotit drejtuar atyre. Ai u dërgoi birin e Tij të vetëm si Mesian, por ata kërkuan vdekjen e tij. Para se ta arrestonin dhe kryqëzonin, Jezusi së bashku me dishepujt e tij qëndruan në një mal duke parë Jeruzalemin dhe bukurinë e tempullit që i bëri dishepujt të habiteshin, por Jezusi solli ndërmend vetëm ndëshkimin që do të vinte për njerëzit e tij:

"Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar".

"Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve" (Liuka 21 vs 6 v 24).

Kjo profeci u përmbush në vitin 70 pas Krishtit kur Perandoria Romake dërgoi një ushtri nën udhëheqjen e Titit për kryengritje. Qyteti i Jeruzalemit u shkatërrua. Kështu u përmbush Ligji i Përtërirë kapitulli 28 dhe kishte përfunduar përçarja e kombit. Asnjë Jude nuk u lejua të mbetej në këtë tokë. Në vitin 135 pas Krishtit doli një urdhër për të përjashtuar Judenjtë e shpëtuar nga Judea. Emri i Jeruzalemit u ndryshua në Aelia Capitolina.

Më pas pasuan shekuj keqtrajtimi për këtë vend dhe njerëzit e saj. Diaspora, ose shpërndarja u bë një fakt. Judenjtë e burgosur u shpërndanë nëpër botë si skllevër. Ata që mundën t'i shpëtojnë këtij keqtrajtimi u bënë tregëtarë dhe shitës. Judenjtë ndodheshin kudo përveçse në Izrael- kështu u përmbush plotësisht Fjala e Zotit. Ngulmimet e tyre gjenden kudo nëpër botë, por Zoti ende nuk ka siguruar qetësi për ta - ku persekutimi dhe anti-Semitizmi u bë mënyra e tyre e jetesës. Për 2000 vjet kjo tokë dhe njerëzit e saj janë ndëshkuar vazhdimisht dhe një mrekulli do të duhej për t'i përtërirë ata. Por kjo mrekulli është premtuar nga Perëndia nëpërmjet shumë profetëve. Në 1967 Izraeli pushtoi Jeruzalemin dhe për herë të parë pas 2000 vjetësh Jeruzalemi hyri nën kontrollin e Izraelit.

RIPËRTËRITJA E IZRAELIT

Asgjë nuk mund të jetë më e qartë se profecia e bërë nga Jeremia:

"Ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt"(Jeremia 32 v 37).

Zoti ka thënë se do t'u japë atyre një zemër dhe një shpirt të ri, sepse për 2000 vjet Judenjtë kanë qënë të dobët dhe të nënshtruar. Zoti j'ua ka larguar dëshirën dhe mundësinë për të luftuar. Por kur erdhi koha që profecitë në lidhje me mëkëmbjen e tyre të plotësoheshin, një frymë e re erdhi mbi këtë popull. Ata nisën luftën për të marrë tokën e tyre - dhe Britania, fuqia pushtuese ishte tepër e kënaqur ta dorëzonte. Më pas, me gjithë mosmarrëveshjet, ky komb u bë një makinë luftarake për të thyer fuqinë e kombinuar të Arabëve dhe Egjiptianëve. 650 000 Judenj u përballën me 40 000 000 Arabë, dhe Zoti i udhëhoqi njerëzit e tij drejt fitores. Kështu ndodhi ajo që profetët kishin shkruar se do të ndodhte. Ezekieli kapitulli 36 dhe 37 përmban profecinë më të shquar që provon jashtë çdo dyshimi, kontrollin e plotë të Perëndisë në çështjet e kombeve. Profetit iu shfaq një vegim ku Zoti paratha vendosjen e kombit në tokën e tyre, ku u bënë një ushtri tepër e madhe:

"Do t'ju marr nga kombet, do t'ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t'ju çoj përsëri në vendin tuaj. Do t'ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri ... dhe do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj" (Ezekiel 36 vs. 24,26,28).

Kështu në vegimin e luginës plot me kocka të thata që u bë një luginë mbushur me një ushtri të fuqishme, Zoti u jep më tepër siguri:

"Dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe ...dhe do t'ju çoj në tokën tuaj. Ja unë do të marr bijtë e Izraelit... dhe do t'i çoj përsëri në vendin e tyre" ( Ezekiel 37 vs.10,14,21).

Që në vitin 1948 rreth gjashtë milion Judenj janë kthyer në Izrael - ngjarja tjetër e rëndësishme do të jetë kthimi i Krishtit për të themeluar mbretërinë e tij në Izrael- dhe më pas kudo nëpër botë.

SHENJA E ËNDRRËS SË NEBUKADNETSARIT

Në mësimin tre e trajtuam plotësisht këtë ëndërr. Interpretimi nga Danieli tregoi rrjedhën e historisë së botës. Pas thyerjes së Perandorisë Romake, ne sot e gjejmë veten të përfaqsuar nga këmbët e figurës, me disa kombe të fortë (hekuri) dhe disa të dobët (balta), të paaftë për t'u bashkuar. Danieli vazhdon:

"Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjrrë një mbretëri" (Daniel 2v 44).

Kjo tregon se nuk do të ketë perandori tjetër në botë, deri në ngjarjen përfundimtare e cila do të përmbushë plotësisht profecinë e Danielit. Apostulli Pal, i sigurt në përmbushjen e plotë të profecisë, ishte në gjendje të inkurajonte besimtarët në Kolos sepse ai e dinte se Krishti do të kthehej patjetër:

"Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të" (Kolosianëve 3 v 4).

4.SHENJA E TRAZIRËS SË PËRGJITHSHME TË BOTËS

Krishti u tregoi gjithashtu dishepujve për kohën para kthimit të tij, ku do të ketë një trazirë të përgjithshme dhe frikë midis njerëzve për shkak të shqetësimeve me të cilat do të përballeshin të gjitha kombet:

"Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden" (Lluka 21 v 25-26).

Krishti flet në mënyrë figurative për forcat sunduese, ku deti dhe dallgët përfaqsojnë njerëzit (p.sh. Isaia 57 v 20). Kjo shenjë jep një pamje të njerëzve të tokës duke ngritur zërin e tyre të përbashkët për të ushtruar forcë mbi ngjarjet dhe situatat dhe për të lëkundur sigurinë e udhëheqësve.

Sigurisht pamja e paraqitur do të ishte vetëm fillimi për shpëtimin e botës nga kjo situatë.

Krishti përsëri na thotë se kur ngjarjet e botës të jenë si ato që ai ka përshkruar, ne duhet të presim kthimin e tij: "Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur" (Lluka 21 v 27).

Themelimi i Mbretërisë së Perëndisë mbi tokë ashtu siç e kemi parë, është në qendër të qëllimit të tij dhe kërkon kthimin e Jezu Krishtit në tokë për të përmbushur të gjitha premtimet e Zotit. Vetë Jezusi foli - në profeci - për ngjarjet që do t'i paraprinin kthimit të tij në tokë.

  1. KONFLIKTI I ARDHSHËM I BOTËS

Ne pamë se në atë që u bë e njohur si "Profecia e Malit të Ullinjve", Jezusi së pari paralajmëroi për përmbysjen e gjendjes së Judenjve. Për përmbushjen e kësaj profecie, Romakët sunduan mbi tokën e premtuar dhe Judenjtë ishin të nënshtruar. Jezusi e dinte se së shpejti Romakët do të zbatonin këtë plan dhe do të shpërndanin njerëzit e Zotit kudo nëpër botë:

"Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve. Dhe do të ketë shenja..." (Lluka 21 v 24).

Dishepujt e Jezusit kishin pyetur për shenjat e ardhjes së tij dhe për fundin e botës. Jezusi shpjegoi shumë qartë shenjat që do të paraprinin dhe që do të çonin në kthimin e tij "me fuqi dhe lavdi të madhe":

"Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden. Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe" (Lluka 21 v 25 27).

Kthimi i Judenjve në tokën e tyre dhe ripërtëritja e Izraelit si një shtëpi për Judenjtë në 1948, është një përmbushje e profecisë e thënë tashmë në fillim të këtij mësimi. Në dekatat që kanë pasuar me të vërtetë ka patur shenja 'në qiej' si dhe në simbolet e përdorura për forcat sunduese të kombeve, diellin, hënën dhe yjet. Njerëzit janë në ankth se si do të zgjidhen problemet e kësaj bote nga qeveria njerëzore. Luftrat po vazhdojnë dhe duket se nuk ka rrugëzgjidhje. Kjo, tha Jezusi, do të jetë një tjetër shenjë që i paraprin ardhjes së tij.

Profetët e Izraelit, kanë folur shumë për ngjarjet që do të ndikojnë mbi Izraelin dhe mbi të gjitha kombet, pikërisht para ardhjes së Krishtit, në kohën e njohur si "ditët e fundit". Shqyrtoni shembullin në vazhdim:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde drejt Gogut të vendit të Magogut, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit, dhe profetizo kundër tij, dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti... (Ezekiel 38 v 2,3).

Një lexim i kujdesshëm i këtij kapitulli na lë të kuptojmë se këto kombe - përfshi Persinë (Iranin), Etiopinë dhe Libinë (Ezekiel 38 v 5) - do të detyrohen nga Zoti të sulmojnë tokën e Izraelit. Për shembull, në vargun 8 lexojmë:

"... në VITET E FUNDIT do të sulesh kundër vendit që nuk iu shmang shpatës, banorët e të cilit janë mbledhur nga shumë popuj, në malet e Izraelit, që kanë qënë për shumë kohë një shkreti; tani ata, të nxjerrë nga popujt..." (Ezekiel 38 v 8).

Këta popuj janë përqëndruar mbi një fuqi që është vendosur në veri të Tokës së Shenjtë, dhe është interesante të shihet se Izraeli si në të kaluarën ashtu edhe sot i është dashur të kujdeset për sigurinë e kufijve VERIORË. Sigurisht që Siria është një kërcënim i vazhdueshëm në këtë drejtim ashtu si dhe Asirianët ishin rreth 2500 vjet përpara.

Në atë kohë Zoti, duke folur nëpërmjet profetit Ezekiel në lidhje me këtë agresor 'verior' tha:

"Do të vish nga banesa jote, nga skajet e VERIUT, ti dhe shumë popuj me ty ... Dhe do të dalësh kundër popullit tim të Izraelit, si një re që mbulon vendin. Kjo ka për të ndodhur në DITËT E FUNDIT" (Ezekiel 38 v 15,16).

Nuk është e vështirë që në një të ardhme të afërt, t'i përcaktojmë këto kombe që do të mblidhen kundër Izraelit. Gogu, Magogu, Mesheku dhe Tubali janë pranuar nga studiuesit e historisë së lashtë të jenë pasardhësit e njërit nga bijtë e Noeut të quajtur Jafet.

Persia (Irani), Etiopia dhe Libia, kundërshtarë të Izraelit, janë mjaft të njohur nga ne sot, dhe profeti Ezekiel duke folur me autoritetin e Më të Lartit Perëndi, tregon se ata do të bashkohen me pasardhësit e Jafetit, banorët e 'pjesëve veriore'.

Menjëherë në veri të Izraelit ndodhet Siria, një nga kundërshtarët e shumtë Arabë të Izraelit. Më tej, në veri, përmes Armenisë ndodhen shtetet që formojnë BRSS, tani plotësisht të pavarura nga njëra tjetra. Ne shohim me mjaft interes pasuesit e Islamizmit të lartë që ndodhen midis këtij grupi kombesh.

Tani do të ishte e palogjikshme për studiuesit e profecive, të dogmatizonin për përfundimin e profecive të Biblës. Vetëm Zoti ka të drejtë të përcaktojë rezultatin e planit të Tij për botën, një plan që do të përmbushet me themelimin e Mbretërisë së Perëndisë mbi tokë - Mijëvjeçarin, ose njëmijë vjet mbretërim i Krishtit mbi tokë. Nëse kemi studiuar Fjalën e Zotit, atëherë ne jemi të përgjegjshëm. Paralajmërimi i Krishtit për pasuesit e tij, është se ata duhet të rrinë zgjuar! - "Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vië Zoti juaj" (Mateu 24 v 22).

Dhe ndërsa shqyrtojmë këtë skenë të botës, çfarë kuptojmë ? Ne shohim Izraelin të kthyer në tokën e tij për të përmbushur profeci të tilla si Ezekieli kapitulli 37. Ne shohim armiqësi kundrejt Izraelit nga çdo kufi. Popujt Arabë (Islamikë) vërtet janë mbledhur kundër njerëzve të Zotit:

"Ata thonë: 'Ejani t'i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më" (Psalmi 83 v 4).

Një studim më i detajuar i Psalmit 83 do të sqarojë më mirë studiuesit e profecive Biblike, veçanërisht për identitetin e sotëm të kombeve të përmendur në këtë Psalm intrigues. Ata janë kundërshtarët e vjetër të historisë së hershme të Izraelit.

Agresori verior, tek Ezekieli kapitulli 38, së bashku me kombet e identifikuar qartë, të cilët tashmë nuk kanë kohë për "tokën që nuk iu shmang shpatës", janë midis atyre të cilët Zoti do t'i çojë në një konflikt përfundimtar kundër Jeruzalemit:

"Unë do t'i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jeruzalemit" (Zakaria 14 v 2).

"Sepse ja, në ato ditë dhe në atë kohë, kur do të bëj që të kthehen nga robëria ata të Judës dhe të Jeruzalemit, do të mbledh tërë kombet dhe do t'i bëj të zbresin në luginën e Jozafatit..." (Joel 3 v 1,2).

Kjo na bën të mos dyshojmë se kjo është dita kur Perëndia do të ndërhyjë përsëri në çështjen njerëzore, dhe do të bëjë që dëshira e Tij të përmbushet në tokë:

"Turma pas turmash në Luginën e vendimit. Sepse dita e Zotit është e afërt " (Joel 3 v 14).

"Zoti do të vrumbullojë nga Sioni dhe do të bëjë që t'i dëgjohet zëri nga Jeruzalemi, aq sa qiejt dhe toka do të dridhen. Por Zoti do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit. Atëherë ju do të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që banon në Sion, mali im i shenjtë. Kështu Jeruzalemi do të jetë i shenjtë dhe të huajt nuk do të kalojnë më andej" (Joel 3 v 16, 17).

Këto janë kohët kur do të shohim kthimin e Krishtit, udhëheqësin e ardhshëm të botës. Këto profeci, dhe veçanërisht ato të Joelit dhe Zakarias, së bashku me profecitë e famshme të Isaias, Jeremias dhe Ezekielit na paraqesin PLANIN E ZOTIT. Si vrojtues, ne kërkojmë të analizojmë çdo hap drejt këtij plani. Sepse çdo hap PËRPARA e sjell më afër ditën e konfliktit përfundimtar, të njohur në Bibël si ARMAGEDON, që jepet nga fjalët e Zakarias:

"...Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij" (Zakaria 14 v 9).

KTHIMI I KRISHTIT - NJË FAKT

Shenjat e Kohëve japin një shembull të pagabueshëm të ngjarjeve që do të vijnë. Ngjarjet para ndërhyrjes së Zotit, pothuajse kanë përfunduar dhe jezu Krishti është fare pranë, gati për të çuditur botën.

Duke parë shenjat dhe duke ditur kuptimin e tyre a jemi në gjendje të mos ndikohemi nga ato? A mund të jemi si ata që largohen pa u menduar nga kjo situatë? Kthimi i Krishtit do të jetë si ardhja e vjedhësit natën.

Por ne mund t'i respektojmë këto shenja, duke i kushtuar vëmendje para se të jetë tepër vonë. Jezusi tha: "Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër" (Lluka 21 v 28).

Në vend që të pikëllohemi nga kjo situatë, ne mund të ngremë sytë lart dhe të kërkojmë shpëtim nëpërmjet Krishtit, Shpëtimtarit tonë. Kështu mund të tregohemi të zgjuar dhe të gjejmë strehim në Arkën e Krishtit para se "dita e madhe e të Plotfuqishmit" të përpijë të ligjtë.

Varet nga ne për ta parë këtë çështje si tepër të rëndësishme, duke kujtuar se ajo përfshin jetën dhe përfundimin tonë. Bibla na ofron shpresën e jetës së përjetshme si dhe një vend në Mbretërinë e Perëndisë - një Mbretëri ku Krishti do të mbretërojë me paqe dhe drejtësi.

Njerëzit e zgjuar do të arrijnë këtë përfundim:

(a) se ardhja e Krishtit është një çështje jetike

(b) se paralajmërimi nga Fjala e Zotit nuk duhet mohuar

(c) se jeta jonë e sotme nuk jep asnjë siguri të plotë

(d) se besimi tek ungjilli (lajmi i mirë) i Mbretërisë së Perëndisë dhe pagëzimi në emrin e shpëtimtarit tonë Krishtit, janë të domozdoshme.

Prandaj, varet nga ne individualisht, të vendosim nëse dëshirojmë t'i "mbetemi besnik ardhjes së tij (Krishtit)", kur ai do të "dallojë ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij" (Malakia 3 v 18).

PËRMBLEDHJE

  1. Kthimi i Jezu Krishtit është një fakt.

  2. Ky kthim u premtua nga engjëjt gjatë ngritjes së tij në qiell.

  3. Jezusi do të kthehet për të themeluar mbretërinë e Perëndisë në tokë.

  4. Vetëm Zoti e di ditën e saktë të caktuar për kthimin e Krishtit.

  5. Shenja të qarta tregojnë se kthimi i Krishtit është i afërt.

  6. Ditët e Noeut mund të krahasohen me ditët tona.

  7. Rivendosja e Judenjve në Izrael është një shenjë e rëndësishme.

  8. Ne jetojmë në fazën e fundit të vegimit të Nebukadnetsarit.

  9. Trazira e botës i paraprin kthimit të Krishtit.

  10. Armiqtë e Izraelit janë fqinjët e tij.

PJESË NGA BIBLA PËR TË LEXUAR

Ezekiel 37 Veprat 3 1 Thesalonikasve

Ezekiel 38 Lluka 21 2 Thesalonikasve

Veprat 1 v 1-12

MËSIMI 9: Pyetje

Nënvizoni përgjigjen e drejtë për çdo pyetje dhe i shkruani ato në Fletën Përmbledhëse të Përgjigjeve në fletët e mesit.

  1. Pse do të kthehet Jezusi në tokë? (a) Ai nuk do të kthehet (b) Të ndalojë luftën (c) Të themelojë Mbretërinë e Perëndisë (d) Të shërojë sëmundjet

  2. Kush e di datën e saktë të kthimit të Jezusit ? (a) Engjëjt (b) Jezusi (c) Zoti (d) Pali

  3. Ku mund të gjejmë të dhëna se Jezusi do të kthehet shpejt? (a)Në Bibël (b) Në gazetë (c) Tek yjet (d) Në Ligjin e Judenjve

  4. Cilat kushte në botë Jezusi i krahason me kohën e Noeut? (a) Kthimin e Izraelitëve në tokën e tyre (b) Kryengritjen e agresorit verior (c) Një kohë ku kërkohet dhuna dhe kënaqsia (d) Disa kombe të fortë dhe disa të dobët

  5. Cila figurë është përdorur për të treguar Izraelin në shëmbëlltyrën që ndodhet tek Mateu 24 v 32-33 ? (a) Një luginë me kocka të thata (b) Një pemë fiku (c) Një shandan (d) Arka

  6. Cila pjesë e vegimit të Nebukadnetsarit përshkruan kohën para kthimit të Jezusit? (a) Koka prej ari (b) Këmbët pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile (c) Këmbët prej hekuri (d) Barku dhe kofshët prej bronzi

  7. Cilës klasë njerëzish ju drejtohen me frazën "në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij" tek Luka 21 v 25 ? (a) Njerëzve të shenjtë (b) Të ligjve (c) Udhëheqësve (c) Misionarëve

  8. Cili komb ndodhet menjëherë në veri të Izraelit? (a) Amerika (b) Siria (c) Egjipti (d) Rusia

  9. Kujt i referohet 'Mikaeli' tek Danieli 12 v 1 ? (a) Noeut (b) Ezekielit (c) Danielit (d) Jezusit

  10. Cilat nga shenjat e mëposhtme që i paraprinë ardhjes së Jezusit do të shfaqen së shpejti ? (a) Rivendosja e Judenjve në Izrael (b) Trazira e botës (c) Sjellja e fqinjëve të Izraelit (d) Një kohë dhune (e) Disa popuj të fortë e disa të dobët


previous page table of contents next page