Dhjetor
1 Dhjetor
Mos i kritikoni të tjerët, që të mos kritikoheni, sepse kritika juaj do t’ju kthehet; dhe do të mateni me të njëjtat masa që ju masni të tjerët.
Mateu 7:1-2
Sa e lehtë është të kritikosh motivet, fjalët apo veprat e një personi tjetër; megjithatë sa pak që dimë për njerëzit e tjerë. Jezu Krishti është i vetmi gjyqtar i vërtetë.
Çfarëdo që thotë apo bën një person tjetër ka mundësi të interpretohet pozitivisht apo negativisht, domethënë, me simpati dhe mirëkuptim, në dashur; ose me dyshim dhe kritikë, në urrejtje ose zili.
Jezusi na mësoi që nëse besojmë që dikush tjetër e ka gabim, së pari duhet ta diskutojmë çështjen me atë person privatisht dhe me askënd tjetër, derisa ai person të ketë një mundësi për të dhënë një shpjegim.
2 Dhjetor
Hiqini pra, tërë helmin, tërbimin e papritur, inatin dhe gjithfarë sharjesh; tregohuni mirëdashës e të gatshëm për ta ndihmuar njëri-tjetrin, dhe faleni njëri-tjetrin, sepse edhe Perëndia jua fali mëkatet për hir të Krishtit. Efesianëve 4:31-32
Lutja e Zotit e bën faljen e gabimeve tona të kushtëzuar nga falja e atyre të të tjerëve. Është shumë e lehtë ta mendosh, por prapëseprapë e vështirë të vihet në jetë, sidomos kur kapemi të papërgatitur. Gjëja e mrekullueshme mbi leximin çdo ditë të shkrimit të shenjtë është që gradualisht eliminojmë cilësitë negative të hidhërimit, inatit, zemërimit, ankimit dhe sharjes nga jetët tona duke u përpjekur shumë për t’i zëvendësuar me anët pozitive që radhiten prej Palit tek Galatasve 5 … dashuri, hare, paqe, vuajtje, mirësjellje, mirësi, besim, thjeshtësi dhe përmbajtje.
3 Dhjetor
Mes jush nuk duhet të flitet për gjëra të pamoralshme, për shthurje dhe lakmi. Dhe nuk ju përket të flisni fjalë të ndyra, të marra ose të fëlliqura; më mirë falënderoni … ‘sepse njerëz të tillë nuk kanë’ … trashëgimi në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.
Efesianëve 5:3-5
Pali, tek Galatasve (5:21) radhiti punërat e trupit, duke pohuar kategorikisht përsëri që ata që bëjnë gjëra të tilla nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë…imoraliteti, prishja dhe shthurja, idhujtaria dhe magjia, grindja, qëndrimi armiqësor, rivaliteti, shpërthimi i zemërimit, dëshira për hakmarrje, mosmarrëveshja dhe përçarja, smira, pija dhe grykësia dhe vese të tjera si këto…“Nëse jetojmë sipas Shpirtit,” tha ai, “le të ecim sipas Shpirtit.”
4 Dhjetor
Bekuar janë ata që zbatojnë urdhërimet e tij, sepse kanë të drejtën të hanë frytin e pemës së jetës, dhe të hyjnë në qytet nga portat.
Apokalipsi 22:14
Jeta e përjetshme u ofrohet të gjithëve, por është e kushtëzuar nga zbatimi i urdhërimeve të Krishtit. Zbatimi i fjalëve të Jezusit u përqas me ndërtimin e shtëpisë mbi shkëmb … por “cilido që i dëgjon fjalët e mia dhe nuk i zbaton, do të jetë si një budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë: kur ra rrebesh, vërshuan përrenjtë dhe stuhia u tërbua, shtëpia e tij u tund, u rrëzua dhe humbja e tij ishte e madhe.” (Mateu 7:26). Besimi tek ungjilli dhe pagëzimi do të jenë kundër nesh nëse jetojmë në mosbindjen ndaj urdhërimeve të Krishtit.
5 Dhjetor
Po ta llogaritje mëkatin, O Zot, kush do të qëndronte para Teje? Por Ti mund ta falësh mëkatin, që njeriu të të ketë frikë.
Psalmet 130:3-4
Ka falje për ata që, pasi i janë dhënë Ungjillit, dështojnë të arrijnë bindjen e përsosur ndaj urdhërimeve të Krishtit. Nëse nuk bëhet, askush nuk mund të shpëtohet. Falja është e kushtëzuar nga rrëfimi dhe braktisja e mëkateve tona; si dhe nga falja prej nesh e të tjerëve. Falja jepet vetëm me ndërmjetësimin e Krishtit.
6 Dhjetor
Nëse jetojmë në dritë,…gjaku i Jezu Krishtit … na pastron nga të gjitha mëkatet.
1 Gjoni 1:7
Gjoni shtoi në kapitullin e tij të dytë (2:1) “Nëse një njeri bën mëkat, kemi një ndërmjetës tek Ati, ai është Jezu Krishti i drejtë” … Gjithashtu, në kapitullin e tij të parë, vargu 9, ai tha “Nëse i pranojmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë, do të na i falë ato.” Tek Hebrenjve, Pali na tregon (7:25) që Jezusi është tërësisht ndryshe nga priftërinjtë që administronin ligjin … “Ai jeton përgjithmonë për të ndërhyrë për ne tek Perëndia.” Krishti nuk ishte si kryepriftërinjtë pasues që ofronin sakrificë për mëkatet e veta dhe pastaj për njerëzit, me gjakun e demave dhe dhive që, në fakt, nuk mund t’i shlyenin kurrë mëkatet.
7 Dhjetor
…sepse Ai ka thënë, kurrë nuk do të të lë, as nuk do të të braktis. Le të themi plot besim, Zoti është ndihmuesi im, tani nuk kam frikë se çfarë mund të bëjë njeriu.
Hebrenjve 13:5-6
Perëndia na ndihmon t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe të përftojmë shpëtimin e Tij me anën e privilegjit të madh të lidhjes me Të dhe me birin e Tij. Ne arrijmë tek ai me anë të lutjes përmes Jezu Krishtit. Ai ka premtuar që nuk do të na lërë apo braktisë kurrë, do të jetë strehë në kohë telashesh dhe do na udhëheqë gjithë jetën. Perëndia na e jep dashurinë e Tij, mëshirën dhe paqen lirisht dhe nëse jemi besnikë, Ai do të na japë hyrjen në mbretërinë e Tij.
8 Dhjetor
Ju që ishit dikur larg, tani jeni afruar pëmres gjakut të Krishtit. … Sepse përmes tij ne… arrijmë tek Ati përmes të njëjtit shpirt.
Efesianëve 2:13 dhe 18
Edhe çifutët edhe joçifutët kanë të njëjtin privilegj që të kenë akses ndaj një Zoti Perëndi, përmes sakrificës së Krishtit. Perdja e tempullit u gris më dysh kur Jezusi vdiq mbi kryq, duke hapur rrugën që të gjithë të hyjnë në vendin më të shenjtë. Më parë, vetëm kryeprifti mund të hynte atje dhe gjithnjë me sakrificë.
9 Dhjetor
Mirësia e Perëndisë mbetet përgjithmonë për ata që e kanë frikë;… kur i qëndrojnë besnikë dhe kur veprojnë sipas rregullave të besëlidhjes së Tij.
Psalmet 103:17-18
Vëreni se si në Bibël mëshira dhe mirësia e Perëndisë kushtëzohen nga disa gjëra që bëjmë ne. nëse i afrohemi Atij, edhe Ai do afrohet pranë nesh. Ashtu si në shkretëtirë kishte një procedurë të caktuar që duhej ndjekur, edhe Perëndia kërkon frikë dhe respekt për emrin e Tij të shenjtë dhe pushtetin e Tij të frikshëm, prej nesh. Premtimet tona duhen mbajtur dhe duhet t’i kujtojmë urdhërimet e Tij e të bëjmë çmos për t’i zbatuar.
10 Dhjetor
Dhe Perëndia do t’ju përgatisë një pritje madhështore në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.
2 Pjetri 1:11
Në letrën e tij të dytë, Pjetri lavdëronte shanset që u janë dhënë besimtarëve për të marrë pjesë në natyrën hyjnore. Përmes njohjes së Jezu Krishtit, kemi shansin të përfitojmë premtimet e mëdha dhe të vyera dhe të ikim larg korruptimit të botës. Ai na këshillon t’i shtojmë besimit tonëvirtytet (ose pushtet dhe forcë), ndërsa virtytit dije, dhe dijes përmbajtje (ose vetë-përmbajtje). Përmbajtjes duhet t’i shtojmë durim dhe durimit besimtari. Duhet t’i shtojmë besimtarisë, mirësi vëllazërore, dhe mirësisë vëllazërore, DASHURI. Nëse i kemi këto gjëra atëhere do të marrim frytet dhe do të na jepet një vend, përmes mirësisë, në mbretëri.
11 Dhjetor
Fjalën tënde e kam futur në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.
Psalmet 119:11
Nga e gjithë ndihma që Perëndia ka lënë për të nxitur besimtarin në rrugën drejt mbretërisë, më e rëndësishmja është ndoshta leximi i fjalës së Perëndisë. Sepse “Të shenjtët e Perëndisë flisnin duke u shtyrë nga Shpirti i Shenjtë,” sepse ne përvetësojmë dije dhe mençuri shpirtërore ndërkohë që marrim kuptimin nga faqet (e librit) në mendjet tona. Nuk kishte mënyrë tjetër që ne të kuptojmë Perëndinë.
12 Dhjetor
Lutuni pa pushim. 1 Selanikasve 5:17
Një mënyrë tjetër për t’iu afruar Perëndisë dhe një pjesë e domosdoshme e jetës sonë të përditshme duhet të jetë lutja. Lutjet janë një zakon ndërkombëtar, por lutjet e përcaktuara janë pa dobi si mjet komunikimi me Krijuesin tonë. Pse të përdorim mendimet e frazat e njerëzve të tjerë, kur mendjet tona kanë problemet dhe falënderimet dhe lavdërimet që mund të shprehen sinqerisht vetëm me fjalët tona? Lutja e Zotit ishte një shembull se si duhet të lutemi. Jezusi kaloi netë të tëra duke u lutur; Davidi dhe Danieli luteshin shumë herë çdo ditë … dhe këta tre burra Ati i tyre në Qiell i donte shumë.
13 Dhjetor
Drejtojuni Perëndisë në çdo gjendje dhe drejtojini Atij lutjet tuaja; Dhe paqja e Perëndisë, e cila i tejkalon të gjith apërfytyrimet njerëzore, do t’i ruajë zemrat dhe mendimet tuaja përmes Krishtit Jezus. Filipianëve 4:6-7
Nuk mund ta duam Perëndinë pa e njohur Atë. Bibla është i vetmi vend ku mund të gjejmë informacion të tillë, ndaj duhet të lexojmë me zell, por lutjet i japin dimension shpirtëror adhurimit tonë dhe paqe. Besimi ynë bëhet diçka e prekshme gjatë lutjes, meqenëse krijohet një qark energjie midis mendjeve tona dhe asaj të Perëndisë. Lutja e bën Perëndinë real në jetët tona, duke na mundësuar ne të ndjejmë pushtetin e Tij brenda vetes.
14 Dhjetor
Nga Zoti rrjedh mësimi që jua transmetoj: natën kur Zoti Jezus u tradhëtua, mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu dhe tha, ‘merrni, hani: ky është trupi im që flijohet për ju. Bëjeni këtë për të më përkujtuar mua. Po ashtu, pasi u krye darka, mori kupën dhe tha, ‘kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëjeni këtë sa herë që të pini nga ajo, për të më përkujtuar mua.’ 1 Korintasve 11:23-25
Ndihma e tretë në rrugën tonë drejt mbretërisë dhe një pjesë e domosdoshme e adhurimit tonë, është të kujtojmë sakrificën e Krishtit, me thyerjen e bukës dhe pirjen e verës ditën e parë të çdo jave. Sakrifica e Krishtit është gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur në botë që nga mëkati i Adamit. Pa të, ne nuk do të kishim kurrfarë shprese. Na është dhënë urdhër që ta vazhdojmë festën.
15 Dhjetor
…ditën e parë të javës, … dishepujt u mblodhën për të thyer bukën …
Veprat 20:7
Fakti që e bënë këtë, nuk e bën ditën e parë të javës të shtunë (Sabat). Sabati u paracaktua nga Perëndia për çifutët në tokën e tyre si dita e shtatë, domethënë, e shtuna jonë. Jezusi e përmbushi Ligjin e Mosheut dhe u ngul në kryqin e tij dhe u largua, me qëllim që vendin e tij ta zinte ligji shpirtëror. Dishepujt u takuan në shtëpitë e njëri-tjetrit dhe e kujtuan Zotin e tyre thjesht dhe me përkulje.
16 Dhjetor
Të mos braktisen mbledhjet tona sëbashku. Hebrenjve 10:25
Kisha në Dhiatën e Re i përqaset një trupi në të cilin Jezusi është koka dhe të gjithë të tjerët janë anëtarët e ndryshëm. Pali ishte i merakosur që çdo anëtar i trupit të Krishtit të kontribuonte për mirëqenien e tij, duke marrë parasysh njëri-tjetrin për të nxitur dashurinë dhe veprat e mira.
Të gjithë kemi nevojë për shoqëri dhe nxitje në këtë udhëtim në shkretëtirë drejt mbretërisë së ardhshme të Perëndisë. Duke marrë pjesë në tryezën e Zotit për të thyer bukë çdo javë, ne pranojmë vlerësimin tonë për çmimin që u pagua për privilegjet dhe shanset që na janë dhënë.
17 Dhjetor
Na trego se kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të kësaj bote. Mateu 24:3
Shkrimet e shenjta u shkruan për t’i dhënë nxitje çdo brezi besimtarësh kristianë, ndaj Krishti iu përgjigj pyetjeve të dishepujve të tij tërthorazi. Librat e historisë na japin hollësitë e rrethimit romak të Jeruzalemit, çka jep përgjigjen për pyetjen e parë. Shumë ia vunë veshin paralajmërimit të Krishtit dhe u larguan në qytetin malor të Pelës kur panë ‘urrejtje në vendin e shenjtë,’ i ikën torturës dhe vdekjes. Tërmete, uri dhe mortaja do të paratregojnë ardhjen e dytë të Zotit (Luka 21:11). “Dielli do të errësohet dhe hëna do të gjakoset përpara ditës së madhe dhe të tmerrshme të ardhjes së Zotit.” (Joeli 2:31).
18 Dhjetor
Shumë do të paraqiten në emrin tim dhe do të pohojnë, Jam Krishti; shumë do të mashtrohen. Mateu 24:5
Në të gjitha kohërat ka pasur mashtrues që kanë pretenduar të jenë Krishti, por Jezusi gjithashtu paralajmëroi “do të ngrihen shumë profetë të rremë që do të mashtrojnë shumë njerëz” … (Mateu 11). Ata janë rreziku i madh. “Bëni kujdes,” tha Jezusi, “që askush mos t’ju mashtrojë” (Mateu 4). “Po të mundnin do të mashtronin edhe vetë të zgjedhurit” (Mateu 24).
Testi që duhet vënë në punë në çdo doktrinë të çdo kishe apo sekti do të jetë nëse ka përputhje absolute me fjalën e Perëndisë siç është ruajtur në Bibël. Nuk na lejohet të heqim ndonjë fjalë apo të shtojmë tonat (Apokalipsi 22:18). “Nëse nuk flasin sipas kësaj fjalë, kjo ndodh ngaqë tek ata nuk ka dritë.” (Jeshaja 8:20).
19 Dhjetor
Biri i njeriut do të vijë si vetëtima që shkëlqen në qiell nga lindja në perëndim.
Mateu 24:27
Kur të vijë ajo ditë, nuk do të ketë kurrfarë dyshimi mbi kthimin e Krishtit. Ai nuk do të kthehet si një qingj dhe ta lejojë veten ta çojnë në therje, por si luani i fisit të Judës, me fuqi shumë të madhe. Ai do të vijë me madhështi dhe pafundësi engjëjtsh si dhe me elementët e urdhrit të tij … zjarr, squfur, vetëtimë, bubullimë, breshër, stuhi dhe errësirë të madhe. Ashtu si kur u shfaq për herë të parë, bota do të ketë një përshtypje tërësisht të gabuar për të dhe do ta kundërshtojnë përsëri … por ai do të shtypë çdo kundërshtim.
20 Dhjetor
Kur të vijë biri i njeriut, do të jetë si në kohën e Noes. Mateu 24:37
Përmbytja e madhe nuk është aspak mit … ka ndodhur vërtet. Përpara se të vinin ujrat, njerëzit hanin, pinin e kënaqeshin, të pavëmendshëm ndaj shkatërrimit që po vinte. Do të jetë e njëjta gjë edhe kur të kthehet Jezusi. Paralajmërimet e Noes u injoruan dhe u përqeshën në të njëjtën mënyrë si ndodh sot me fjalët e Biblës … Jezusi e bëri krahasimin … ai nuk gënjen! “Nga dy burra që punojnë bashkë, njëri do të merret, tjetri do lihet, po kështu dhe gratë … një do merret, tjetra do lihet.” Të liqtë do të shkatërrohen… ky është premtim.
21 Dhjetor
Prandaj rrini gati në çdo kohë, sepse biri i njeriut do të vijë në atë kohë kur nuk e prisni. Mateu 24:44
Jezusi i mësoi pasuesit e tij drejtpërdrejt, por edhe tërthorazi përmes historive të tij, se si duhet të bëhen gati për kthimin e Zotit të tyre nga ‘vendi i largët.’ Njohja e shkrimit të shenjtë përmes leximit të përditshëm është e domosdoshme (2 Timoteut 3:15) për të gjeneruar dashurinë, shpresën, besimin, mençurinë dhe mirëkuptimin e nevojshëm për ‘ti bërë të pranueshëm përpara birit të Perëndisë. Jezusi dha shembullin duke iu nënshtruar pagëzimit përmes zhytjes dhe ne na kërkohet të pendohemi për gabimet e kaluara dhe të pagëzohemi (Veprat 2:38). Thyerja e bukës dhe pirja e verës ditën e parë janë një urdhërim. Gatishmëria duket gjithashtu edhe nga mendimet, fjalët dhe veprimet tona, të cilat duhet të jenë në përputhje me shembujt që na janë lënë në Bibël.
22 Dhjetor
Ditët e fundit … njerëzit do të jenë egoistë, të dhënë pas parasë, mburracakë dhe mendjemëdhenj, do fyejnë të afërmit, nuk do dëgjojnë prindërit, nuk do t’i trembë gjë. Do jenë mosmirënjohës, të padashur dhe të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, të ashpër, do urrejnë të mirën, do jenë të pabesë, mendjemëdhenj dhe arrogantë; nuk do kërkojnë atë që i pëlqen Perëndisë, por atë që shton kënaqësitë e tyre, do shtiren si të përshpirtshëm, por nuk do ta njohin fuqinë e përshpirtmërisë.
2 Timoteut 3:1-5
Pali i referohet ditëve të fundit përpara kthimit të shpëtimtarit të tij Jezu Krisht dhe e paralajmëron Timoteun që ‘do vijnë kohë të rrezikshme.’ Nëse shohim rreth vetes, do të shikojmë shumë njerëz që kanë ‘formë përshpirtshmërie,’ por e mohojnë fuqinë që do ta nënshtrojë botën nën terror. Nëse bota sot është e mbushur me njerëz që i përputhen përshkrimit të hollësishëm të apostujve … atëhere po shohim vërtet ditët e fundit të sundimit të gabueshëm të njeriut mbi krijimet e Perëndisë.
23 Dhjetor
Në ditët e fundit, shumë do të largohen nga feja, duke u bashkuar me njerëzit që mashtrohen nga mendjemadhësia e tyre dhe do ndjekin mësimet e fuqive të errësirës; ata që janë gënjeshtarë të shtirur, që kanë ndërgjegje të ngarkuar me faj.
1 Timoteut 4:1-2
Njeriu ndryshon por jo Perëndia. Pali e paralajmëron Timoteun se në fund të sundimit të njeriut, do të ketë nga ata që do braktisin doktrinën e vërtetë të Jezu Krishtit për ta zëvendësuar me besime e tradita që nuk janë të vërteta. Ata nuk do kenë ndërgjegjen për të ndryshuar të vërtetën siç është dhënë në shkrimin e shenjtë dhe do mësojnë ‘gënjeshtra hipokrite.’ Duke vazhduar me doktrinën e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë – Jezu Krishtit – Pali na siguron që ne do të shpëtohemi kur të kthehet Krishti.
24 Dhjetor
Do të paraqiten midis jush mësues të rremë që do të shpallin herezi të dënueshme, … përmes lakmisë do t’ju përdorin me fjalë të trilluara … 2 Pjetri 2:1-3
Mesazhi i Gjonit për shtatë kishat konfirmon që brenda jetës së tij, kjo profeci e Pjetrit po përmbushej. Mësues të rremë kanë paraqitur herezi të dënueshme që atëhere e deri sot. Ata kanë përdorur ‘fjalë të trilluara’ dhe ‘kanë përdorur’ njerëzit për interesat e veta. Nëse ndonjë ‘mësues’ hedh dyshim mbi frymëzimin dhe vërtetësinë e shkrimit të shenjtë apo përpiqet të ndryshojë atë që është shkruar, ai merr dënimin e Pjetrit. Në fakt, ka shumë pak mësues kristianë, që pranojnë atë që është shkruar në lidhje me pagëzimin, vdekjen, kthimin e Krishtit, ringjalljen, jetën e përjetshme dhe premtimet!
25 Dhjetor
Në ditët e fundit do të paraqiten njerëz që nuk ndjekin gjë tjetër veç instinkteve të tyre; do përqeshin duke thënë, Ku është premtimi që do kthehej?
2 Pjetri 3:3-4
Pjetri nuk kishte asnjë dyshim mbi vërtetësinë e paralajmërimev etë Krishtit mbi ditët e fundit që po jetojmë. Ai paratregoi se do të kishte tallës jashtë kishës kristiane dhe mësues të rremë brenda saj. Gjithçka është e shenjtë, e drejtë, e mirë, e mençur dhe e vërtetë braktiset për hir të gjithçkaje që është e këndshme, e lehtë dhe me përfitim. Asgjë nuk është e shenjtë; emri i Krishtit përdoret lehtë dhe blasfemohet; urdhërimet e Tij mohohen prej traditave të njeriut dhe premtimet e Tij injorohen. Ai do të vijë atëhere kur nuk pritet … ‘si hajdut nëpër natë’ (3:10).
26 Dhjetor
O Zot, kush do të hyjë në tempullin tënd? Kush do të jetojë në malin e shenjtë? Ai që dëgjon Zotin dhe sillet me drejtësi, ai që ka të vërtetën në zemër, që nuk flet keq për njeri në prani të të tjerëve, që nuk i sjell të keqe tjetrit dhe nuk diskrediton të afërmin…ai që e mban fjalën edhe në vështirësi dhe nuk ndryshon…ai që vepron kështu, do të mbetet në themel të sigurt përgjithmonë. Psalmet 15:1-5
Davidi në mënyrë profetike përshkruan ata që do të jenë të denjë për një vend në tempullin e mrekullueshëm që do të ndërtohet si qendra e adhurimit në mbretërinë e Perëndisë (Jehezkeli 40-46). Bibla na inkurajon të zhvillojmë cilësitë pozitive që kemi dhe të eliminojmë të gjitha ato negative. Jezusi do ta sundojë botën në paqe nga mali i shenjtë, Mali Cion në Jeruzalem. Ai do të ketë ndihmën e atyre që janë ‘ngjitur deri në’ standartet e parashikuara nga Davidi gjatë mbretërimit të tij.
27 Dhjetor
Më pëlqejnë ata njerëz që janë plot përulje dhe pendim, që dridhen nga fjala ime.
Jeshaja 66:2
Ne na janë caktuar veçse pak vjet të shkurtër jetë në këtë tokë. Sjellja jonë për sa kohë jemi këtu, do të vendosë nëse do të kthehemi… dhe nëse do të marrim lëvdatat dhe gëzimin e përhershëm apo dënimin dhe ndëshkimin.
Shumë pak njerëz ‘dridhen’ kur lexojnë kërkesat e Perëndisë dhe dënimin për injorimin e përgjegjësisë sonë për t’i njohur dhe përmbushur ato. Krenaria është e neveritshme për Perëndinë. Pasuria aktuale, fuqia dhe nderi janë disavantazhe për ata që kërkojnë vend në mbretërinë e ardhshme. Ata që mbeten besnikë në kohë nevoje dhe shtypjeje do të bekohen shpirtërisht.
28 Dhjetor
Kjo që po ju them juve, vlen për të gjithë, rrini zgjuar.
Marku 13:37
Jezusi i mësoi me kujdes pasuesit e tij gjatë kohërave që do të kthehet në këtë tokë për të ngritur një mbretërim të përjetshëm drejtësie. Ata që kanë ‘vaj në llampat e tyre’ i kuptojnë urdhërimet e tij dhe i zbatojnë ato, dhe i kanë sytë hapur për shenjat e ardhjes së tij të dytë me qëllim që t’i shërbejnë atij.
Jezusi i tha dishepujve të tij, “Fjalët e mia do të mbeten përgjithnjë” (Marku 31). “Mbani vesh, vëzhgoni dhe lutuni,” paralajmëroi ai, “sepse ju nuk e dini se kur do të jetë koha e kthimit tim.” (Marku 33). Kjo është një lutje personale për çdo individ që mendon dhe kujdeset … Zgjohuni nga gjumi hipnotik që e ka trullosur botën në mungesë interesi dhe besimi dhe kërkoni të vërtetën në lidhje me këto gjëra, përpara se Zoti të kthehet nga vendi i tij i largët. Së shpejti do të jetë tepër vonë.
29 Dhjetor
Dita e Zotit do të vijë si vjedhësi natën. Kur të thonë është qetësi dhe siguri, atëherë do të bjerë rrënimi si vuajtjet mbi gruan shtatzanë; dhe askush nuk do shpëtojë.
1 Selanikasve 5:2-3
Jetojmë në një botë që bërtet për ‘paqe dhe siguri.’ Pali na thotë se menjëherë pas kthimit të Zotit, do të ketë një besim të përgjithshëm se këto janë arritur. Kjo është ndoshta shenja e fundit e madhe që do të sinjalizojë kthimin e Zotit. Jehezkeli na tregon (38:11) që Izraeli i kthyer do të jetë i begatë dhe do jetojë në paqe pa ‘mure e porta’ … apo ndonjë mbrojtje të efektshme për kufijtë e tij. Atëhere, papritmas, agresori nga veriu do të vërshojë poshtë për të pushtuar tokën që është bërë pjellore dhe prodhuese prej çifutëve.
30 Dhjetor
Ai që dëshmon vërtetësinë e këtyre fjalëve, thotë Sigurisht, po vij shpejt. Amen. Eja, o Zot Jezus. Apokalipsi 22:20
Në të njëjtën kohë që fuqia nga veriu do të pushtojë Izraelin, “tha Zoti Perëndi, zemërimi im do të ndizet (Jehezkeli 38:18-23) dhe “do të dërgoj ndër ta murtajë dhe masakër, do të luftoj kundër tyre me breshër dhe me shi të madh, dhe do të bëj që mbi ta të bien zjarri dhe squfuri.”
Ajo do të jetë koha e kthimit të Zotit. Ai do të vijë vërtet shpejt për të shpërblyer të gjithë ata që po e presin dhe të ndëshkojë ata që e refuzojnë.
31 Dhjetor
Janë të marrë ata që thonë, Nuk ka Perëndi.
Psalmet 14:1
Davidi nuk kishte asnjë iluzion për gjendjen e botës në ditët e tij … Ai foli për Zotin që shihte “poshtë nga qielli mbi fëmijët e njeriut, për të parë nëse kishte ndonjë që e kuptonin dhe e kërkonin Perëndinë.”
Zoti vazhdon të shikojë dhe të shënojë me kujdes edhe sot. Në psalmin e njëqind e njëmbëdhjetë (vargu 10) na thuhet “Frika prej Zotit është fillimi i urtësisë.” Sigurisht që do të klasifikohemi si “të marrë” nëse nuk nxjerrim maksimumin e shanseve të dhëna nga Perëndia tani, nëse nuk i trembemi dhe nuk i bindemi Zotit.